Gjilani rrëzon “kalanë” vushtrriase

249

Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli ka marrë një fitore tejet të vështirë në kuadër të javës 20 në Raiffaisen Superligë, me ç’rast përballë vetës kishte një kundërshtar dhe terren tejet të pëpërshtatshëm. Tre pikëshi i rradhës për gjilanasit, e mban firmën e mesfushorit Egzon Shabani, raporton Gazeta Sheshi.

Raste po, por jo dhe gola

Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Vushtrrisë ka nisur në kohën e paraparë 13:30, derisa futbollistët kanë hyrë të baltosur në fushën e lojës, me ç’rast reshjet e shiut kishin dëmtuar tej mase terrenin.

Sidoqoftë, kjo nuk i pengoi aspak njërës apo tjetrës skuadër të vargonin rastet për shënim. Madje pas vetëm dhjetë minutave lojë, Yll Prekopuca me një goditje nga distanca paralajmëron miqtë për një sfidë të nxehtë, mirëpo gardiani, Donat Kaqiu, i përgjigjet në mënyrën më të mirë.
Në fakt, vendasit arrijnë të gjejnë golin e shumëkërkuar përmes sulmuesit Bajram Zuqaku (min.27), i cili nuk ishte i rregullt, pasi gjyqtari anësor Driton Preniqi kishte sinjalizuar për pozitë jashtë loje.

Ndërkohë, miqtë rezervojnë minutat e fundit të pjesës së parë për të sulmuar, me ç’rast iu afrua ndjeshëm golit. Fillimisht Alban Rexhepi tentoi nga afërsia, mirëpo goditjen e tij e neutralizoi “gardiani” vendas Beqiri, e më pas Shabani gjuajti jashtë portës nga një pozitë mjaft e volitshme për shënim.

Me rezultatin e fiksuar nga fillimi i ndeshjes, skuadrat i drejtohen dhomave të zhveshjes, për të marrë udhëzimet e fundit për pjesën finale të ndeshjes.

Shabani  “calmate-calmate”

Fraksioni i dytë i lojës nis me gjilanasit në aksion, derisa golin e aq shumëkërkuar do ta gjenin në minutën 65. I gjendur pranë mbrojtjes dhe portierit vendas, mesfushori Egzon Shabani, në mënyrë mjeshtërore vendos ta parabolojë Beqirin, për t’i lënë të shtangur të gjithë të pranishmit. Tashmë miqtë kishin epërsinë dhe koha ishte për mini-festë.

Nga kjo periudhë e lojës, gjërat u tensionuan, pasi vetëm katër minuta më pas Prekopuca ndëshkohet direkt me karton të kuq nga gjyqtari i ndeshjes, Besfort Kosumi. Mesfushori vushtrrias kishte qëlluar pa top Egzon Shabanin, me ç’rast edhe mori dënimin e merituar.
Gjërat për vendasit u vështirësuan pas minutës së 75 të ndeshjes, pasi Endrit Latifi përjashtohet edhe ai me karton direkt të kuq. Mbrojtësi vushtrrias kishte goditur me shqelm futbollistin mysafir Arbër Shala, për të përfunduar para kohës në dhomat e zhveshjes.

Momente dhune dhe tensioni në Ferki Aliu. Tifozët vendas hyjnë në fushë dhe për disa minuta ndërpritet ndeshja. Duke parë gjendjen emocionale të mesfushorit Bahri Kera, tekniku gjilanas, Bylbyl Sokoli vendos ta zëvendësojë atë me Shaqirin.
Gjatë braktisjes së fushës së lojës Kerën e tradhëtuan lotët, para tifozëve të cilët dy sezone më parë kishin festuar titullin kampion së bashku me të.

Sidoqoftë ndeshja nisi dhe miqtë tani e kishin më të lehtë punën duke varguar raste te njëpasnjëshme shënimi. Gëzim Rusi pati dy mundësi ideale për ta mbyllur ndeshjen, mirëpo sulmuesit i mungoi qetësia dhe altruizmi pranë portës për ta ngritur epërsinë.

Nuk ka më kohë dhe Kosumi jep shenjën se ndeshja ka përfunduar. Kështu, Gjilani merr një fitore tejet me rëndësi në luftën për titullin kampion, derisa mëngjesin e së shtunës e çel si lider, pasi tani ka 36 pikë në pozitën e parë, një më shumë se Feronikeli që të dielen udhëton drejt Pejës për tu përballur me Besën.

Pas kësaj humbje, Vushtrrinë e pret një sezonë tejet i vështirë në luftën për mbijetesë. Ish-kampionët e vendit gjenden në pozitën e parafundit me 18 pikë.

Vushtrri: Vushtrria – Gjilani 0-1 (0-0)
Stadiumi: Ferki Aliu
Shikues: 200
Shënues: Shabani 65’
KV: Petrit Halimi, Egzon Feka – Sackey, Kastrati, Jamal
KK: Prekopuca, Latifi
Gjyqtarë: B. Kosumi, D. Preniqi, A.Ejupi, I.Ceraviku

Vushtrria: Beqiri, Prishtina, Izmaku, Latifi, Halimi, Maxhuni (Havolli), Traore, Prekopuca, Neziri, Zuqaku (Rashani) dhe Feka.
Trajner: Rizvan Jetullahu

Gjilani: Kaqiu, Sackey (Shala), Arago, Kastrati, Hasani, Kera (Shaqiri), Shabani, Dautaj (E.Hyseni), Salihu, Rusi dhe Rexhepi.
Trajner: Bylbyl Sokoli

/Gazeta Sheshi/