Gjilani mbyll 2018-ten duarthatë si çdo vit tjetër, ja cili është plani i kuqebardhëve për edicionin e ri

Me seancën e fundit stërvitore të mbajtur në palestër këtë të mërkure (20 dhjetor) kuqebardhët kanë mbyllur vitin kalendarik.

Përmes një njoftimi për media SC Gjilani ka njoftuar për agjendën e fundvitit, derisa është planifikuar pushim dy javor dhe asnjë aktivitet tjetër për festat e fundvitit.

Ndoshta edhe të dëshpëruar nga rezultatet e fundit, kuqebardhët mendojnë vetëm punën dhe planifikojnë që më 5 janar të nisin fazën përgatitore për stinorin pranveror të kampionatit.

Gjithashtu gjilanasit synojnë që në radhët e veta të afrojnë disa futbollistë, ndërkohë ‘operacioni fshesa’ mbetet i hapur, pasi që pritet të ketë të tjera largime.

Deri më tani janë konfirmuar vetëm ‘ndarjet’ me brazilianin Mauricio Marinho, reprezentuesin e Trinidad de Tobagos, Trevin Caesar dhe sulmuesin nga Shqipëria, Brunild Pepa.

Gjilani në pushim shkon si e katërta në renditjen tabelare me 27 pikë të tubuara duke i arritur 8 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje, si dhe e eleminuar nga gara për DigitAlb Kupën e Kosovës.

/Gazeta Sheshi/