Gjermania, Gotze nga “Parajsa në Ferr”

182

Ai është njeriu që vendosi fatin e finales së Botërorit 2014, por që nga ajo rrjetë, karriera e tij nuk është ngritur asnjëherë në nivelin që ai priste. Mario Gotze nuk po gjen hapësira të mëdha te Bayerni i Mynihut dhe shoku i tij i skuadrës, Thomas Muller e pranon se ai nuk është aspak i lumtur me situatën që po kalon.

“Kam folur me të dhe mund të them se nuk është i kënaqur me situatën e tij te Bayerni. Unë nuk jam agjenti i tij, prandaj nuk dua që kjo të kuptohet si një deklaratë për të ardhmen e tij”.

Një deklaratë që hedh pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e një prej sulmuesve më të talentuar të Gjermanisë. Zërat për rikthimin e tij te Borussia janë shtuar kohët e fundit, por në krahun tjetër qëndrojnë edhe ofertat e disa klubeve të tjera europiane. Vlera e kartonit të sulmuesit është 40 milionë Euro dhe mosha e tij e re mbetet një avantazh i madh. Me 572 minuta gjatë këtij sezoni, Gotze është një nga lojtarët më pak të aktivizuar nga Guardiola, madje për shkak të kësaj situate ai rrezikon edhe Europianin e Francës. Një situatë e trishtë për heroin e Gjermanisë, i cili shpëtoi kampionët e botës nga lotaria e 11-metërshave në finalen e Rios kundër Argjentinës, por tashmë në largësinë e dy viteve rrezikon një tjetër eveniment prestigjoz, Europianin e Francës.