Gërvalla: Isa Mustafa nuk ka guxim të shoh në sy Rifat Jasharin

94

Vajza e Jusuf Gërvallës, Donika thotë se kryeministri Isa Mustafa nuk e ka vizituar familjen Jashari sepse nuk ka guxim të shoh në sy Rifat Jasharin. “Isa Mustafa, thuaje të vërtetën ose hesht më mirë! Sa e neveritshme kjo mungesë totale e moralit dhe e përgjegjësisë”, ka shkruar ajo.

Donika Gërvalla, përmes një shkrimi të lëshuar në rrjetin e saj social facebook, ka folë për vitin 1998, ku në Gjermani Rifat Jashari pati hap dyert për ngushëllime, e sipas saj, Mustafa nuk kishte shkuar.

Ky është shkrimi i plotë i Gërvallës:

“Isa Mustafa nuk e viziton Rifat Jasharin ngaqë i mungon guximi ta shohë në sy

Është shumë për t’u shqetësuar paaftësia e Isa Mustafës për ta përballuar të vërtetën dhe shkarja e tij në gënjeshtra krejtësisht të pakuptimta për çështje, të cilat shumë lehtë mund të vërtetohen.

E pamja në Mynih në mars të vitit 1998 tek Rifat Jashari jo vetëm që është mbajtur, por ajo ka zgjatur me ditë të tëra. Sali Çekaj për shembull nuk ka munguar as një ditë të vetme në këtë t’pame, gjatë së cilës Baci Rifat priti e përcolli me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota.

Pse shpik Isa Mustafa gjëra të paqena në një ditë kaq të rëndë por edhe krenare në vetëdijen kolektive shqiptare në Kosovë? E din Isa Mustafa mirë, por e dijmë edhe ne të gjithë që në atë kohë ishim në Gjermani, pse nuk troket në derë të Rifat Jasharit. Prandaj Isa Mustafa, thuaje të vërtetën ose hesht më mirë!

Sa e neveritshme kjo mungesë totale e moralit dhe e përgjegjësisë”, ka shkruar Gërvalla.

Ndërsa sot, mediat kanë shkruar se kryeministri që ishte pyetur pse nuk e vizitoi familjen Jashari, ka thënë se me Rifat Jasharin do të takohet në një atmosferë tjetër për të biseduar për tema të ndërtimit të Kosovës./KosovaPress/.