Gallata pas humbjes me Austrinë, ja vlerësimet humoristike

206

Këto janë vlerësimet humoristike për futbollistët e Kombëtares Shqiptare:

Etrit Berisha- Portieri ynë është gjithmonë një siguri për ekipin. Pavarësisht golave të pësuar, gishtin e fajit nuk mund ta drejtosh tek ai. Shumë i aftë dhe i jep një dorë të madhe ekipit. Sikur të gjithë Berishat të ishin si ky, çoç do ishim.

Lorik Cana- Ndeshje e mirë për kapitenin. E shpëtoi portën në shumë situata të vështira. Përveç disa lëkundjeve të vogla, tregohet lider me pjekurinë e tij. Shtyllë e ekipit. Përveç të qenit lider ishte dhe zile alarmi për të zgjuar gjumashët.

Mërgim Mavraj- Ndeshje për tu harruar për Mërgimin. Ndoshta dëmtimet janë arsyeja e formës jo të mirë fizike por të gjithë kemi besim tek ai. Nuk të shkojnë gafat Mërgim!

Ansi Agolli- Vuan në mbrojtje sepse në pjesën e parë Lenjani nuk kthehet asnjëherë të mbrojë. Gjithsesi ia del mirë edhe pse dukej sikur i kishin ardhur tezet për vizitë. Më kujton veten në klasë të 7-të me atë model flokësh.

Elseid Hysaj- Kombëtarja i ka dhënë shumë djaloshit nga Shkodra, por edhe ai ia ka shpërblyer. Qetësi, saktësi dhe, mbi të gjitha, vazhdimësi. Eviton gabimet trashanike dhe është padron i krahut të tij. Ka gabuar shumë pak gjatë këtij edicioni. Me ken Shkodran, tana i ban, mër ta marrsha.

Andi Lila- I kërkohet të luajë në pozicione të ndryshme dhe ai jep çka mundet në çdo rol. Jo gjithnjë ia del dhe jo gjithnjë është brilant. Por është punëtor dhe vë zemrën në fushë. Ka humbur shumë nga forma e dikurshme dhe është bërë pak “fragile”.

Taulant Xhaka- Monstruoz si Taulantët e tjerë që njoh. Mbron, ndërton dhe të kall datën në çdo moment me zgjuarsinë që ka për t’u paraprirë aksioneve. Vrapon si i çmendur deri në fund dhe i jep frymëmarrje ekipit sa herë që asfiksohet. Fakti që Taulanti ka kërkuar gjithë jetën një motër bëri që vëllai hatërmbetur të luajë për helvetët.

Ermir Lenjani- Shumë dëshirë, klas po e po, por pak sakrifice. Duhej pak më tepër sforco për të mbrojtur, megjithëse ka mësuar të gjuajë. E rëndësishme është që i dha zemër ekipit.

Ergys Kaçe- Korçari i vogël e humbi toruan. E tregoi veten që është i rëndësishëm për ekipin, por u tregua kasap dhe u ndëshkua. Të paktën kjo tregon që është rritur. Kaçe ecën vetë.

Amir Abrashi- Nga bletë punëtore u kthye në grerëz të përhumbur. Presing i pisët. Shkel çdo cep të fushës dhe i afrohet zonës. I vogël, i vogël por përpiqet që punën ta bëjë të madhe.

Burim Kukeli- Më ka edukuar familja të mos flas për të panjohurit.

Migjen Basha- Shumë pak minuta dhe aspak mundësi për të treguar eksperiencë dhe finesë. Vetëm një si ai mund të ketë atë qetësi “acaruese” edhe kur sheh se situata rrëshqet nga duart. Për aq minuta sa luajti, nuk stonoi. E ka humbur pak shkëlqimin si dirigjent, por për Festivalin të fundvitit në RTSH do të ishte mirë. Aq pak sa luajti, më kujtoi adashin e tij kur iu ngjir zëri në shesh.

Odise Roshi- Depërtime të tilla vetëm “shigjeta na Fieri ” mund t’i bëjë. Por edhe gjuajtje të nxituar prej shtataniku mund t’i bëjë vetëm ai. Shpesh u tregua egoist dhe nuk pasoi. Mund të ishte hero po të mos maste 1 herë dhe të qepte 9 herë.

Bekim Balaj- Luajti me shpresën për të përsëritur golin me Portugalinë, por çaloi. Ndoshta stoli që hëngri në Beograd e ka ngadalësuar pasi po shënon vetëm në mediat rozë.

Sokol Cikalleshi.- Një repart më vete. Përpiqet mirë në një ndeshje të tmerrshme për një sulmues, pasi nuk mori asnjë pasim për të qenë. Mbron mirë topin, krijon hapësira edhe atje ku duket e pamundur. Klas dhe potence kavajsi! Shyqyr nuk kapi tenderin e shtyllave, se nuk do e lëshonte edhe sikur në garë të hyje Koçoja, shoku i piktorit që mbahet për kapje tenderash.

Armando Sadiku-Nëse kërkoni një bomber që të shndërrohet brenda 25 minutave edhe mbrojtës i majtë, edhe mesfushor shkatërrues, edhe organizator, këtë mund t’ia kërkoni Dikut. Bëri pak nga të gjitha. Nuk hyri për të shënuar por për të ndihmuar ekipin. Përveç emrit perverso-ofendues dhe ngjashmërisë fizike me të madhin Lek Plepi , ishte pozitiv.

Gani Abazi (Gianni De Biasi)- Kjo nuk ishte skuadër e disiplinuar siç di ai. Takticieni gabon me mbrojtjen. Titullarët u treguan eksperimentalë. Godet me zëvendësimet, si Mato Gruda – Fizët. Shpresojmë t’ja u terezitë edhe në “Euro 2016”, raporton “Jeta osh Qejf”.