Futbollisti malazez: Mungonte veç firma, tifozët e Interit bllokuan shkëmbimin tim me Guarin

Seanca dimërore e merkatos së vitit 2014 ishte ajo, që tifozët e Interit dhe Juventusit
e mbajnë mend akoma, pas shumë kohësh. Arsyeja? Negociatat për të shkëmbyer
Fredy Guarin me Mirko Vucinic. Ky operacion u ndal nga klubi zikaltër, pasi u ndesh
me protesta të ashpra të ultrasve, të cilët nuk ishin kurrsesi në favor të shitjes së
kolumbianit te rivalët historikë.

Një rezultat, që nuk i pëlqeu ish-sulmuesit malazez. Duke folur në mikrofonat e “Sky
Sport”, Vucinic zbuloi disa detaje mbi operacionin, i cili më pas u prish në momentin
kyç, kur gjithçka dukej se po shkonte drejt “tymit të bardhë”: “E gjitha kishte
përfunduar, mungonte vetëm firma, që nuk mbërriti. Për aq sa u bë, unë jam i
lumtur. Nuk e di se çfarë situate do të kisha gjetur në Milano. Pastaj shkova në Abu
Dhabi dhe e gjeta veten mjaft mirë”.

Malazezi ka një këshillë mjaft të kushtueshme merkatoje për Juventusin: “Unë do të
merrja Mbappé, edhe nëse tashmë luan aty Cristiano Ronaldo. Kam shumë dyshime
për faktin nëse PSG dëshiron ta shesë atë, por futbollistë si ai lindin rrallë. Ai vrapon
sa treshi i të tjerëve”.