Futbolli pa tifozë, avantazhi i fushës nuk ekziston më

Bundesliga gjermane ka qenë liga e parë e madhe që ka vendosur për rifillimin e sezonit pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Deri më tani në Bundesligë janë luajtur tri xhiro, ku janë krijuar dy konkluzione domethënëse bazuar në ndeshjet e luajtura, të cilat mund të përcaktojnë shumë futbollin në periudhën e ardhshme.

E para është se futbolli pa tifozë është një produkt, çmimi i të cilit po bie në mënyrë drastike dhe mbetet të shihet se si do të ndikojë te të drejtat televizive, sigurisht nëse një situatë e tillë vazhdon.

E dyta është ajo që lidhet me tifozët, pa të cilët duket se avantazhi i fushës po bie.

Edhe pse mostra e tre raundeve të luajtura, d.m.th 27 ndeshje në Bundesligë, është ende e vogël, rezultati është i dukshëm.

Ekipet në tri raundet e zhvilluara në Bundesligë janë duke pasur rezultate mahnitëse në ndeshjet që po i luajnë në udhëtim.

Që nga fillimi i Bundesligës, nikoqirët kanë shënuar vetëm pesë fitore. Duhet të theksohet se dy nga këto pesë fitore janë arritur nga skuadrat më të mira në ligë, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, të cilët kanë edhe edhe favorit absolut në letër.

Në të njëjtën kohë, mysafirët kanë festuar 12 herë në udhëtim, dhe 10 ndeshje kanë përfunduar baras. Mysafirët ishin dy herë më shumë të suksesshëm sesa vendësit në këto tri raunde të Bundesligës.

Një fakt i tillë tregon mirë se mungesa e tifozëve ka bërë që avantazhi i fushës të mos ketë më epërsi në një ndeshje futbolli.