Frikë te tifozët, ja masat kundër terroristëve

116

Kulla Eifel ndezi ngjyrat e flamurit të Belgjikës në shenjë solidariteti pas tragjedisë.

Aktet terroriste janë kthyer në një kërcënim serioz dhe jo rastësisht janë gjithnjë në prag ose gjatë ndeshjeve të futbollit. Grupimet e mëdha të njerëzve duket si momenti i duhur për të “goditur”.

Por, edhe dëshirat makabre për të shkaktuar viktima duket se do të jenë të pamundura për t’u realizuar gjatë kampionatit europian. Franca po merr masa për të blinduar çdo vend, që gjithçka të shkojë në mënyrë sa më paqësore, ashtu siç të gjithë dëshirojnë. Dhe për të garantuar sigurinë do të jenë afërsisht 30 mijë forca në gatishmëri…

Masat e rrepta

Të jesh në Francë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares tënde nuk do jetë thjesht një shëtitje turistike. Në rrugët e qytetit ku do luhet ndeshja, do shikohen me qindra ushtarë. Në fakt, Ministria e Brendshme ka njoftuar se janë plot 10 mijë ushtarë në të gjithë territorin, të cilët do jenë patrullues dhe të gatshëm në raste incidentesh.

Por, sigurisht që nuk do të mjaftohen me aq. UEFA, nga ana tjetër, do punësojë 10 mijë agjentë privatë, që gjithashtu do kenë si “mision” ruajtjen e sigurisë.

Më tej, do të jenë 5 mijë policë, të cilët janë të pavarur nga ushtria, apo agjentët e UEFA-s.

Rreziku i “Fan Zone”

Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Kazenuev, ka njoftuar se ku qëndron edhe shqetësimi më i madh për sigurinë e tifozëve.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat për stadiumet, apo vendet, ku njerëzit do kalojnë në kontrolle. Do të jenë të monitoruara dhe kontrolluara në imtësi, çdo centimetër. Shqetësimi ynë lidhet me ‘Fan Zone’. Janë ambientet ku do të mblidhen tifozët, në sheshe të ndryshme, për të ndjekur ndeshjet në monitorë gjigantë. Është një organizim, që nuk duhet t’ia heqim. Ashtu shijohet më tepër atmosfera e kompeticionit. Por, nga ana tjetër, kanë edhe rrezikshmëri më të madhe.

Gjithashtu, edhe grupimet e tifozëve të të njëjtit ekip”, u shpreh Kazenuev. Sipas ministrit, është shumë e vështirë që të kontrollohen me mijëra fansa, që qëndrojnë së bashku në sheshe publike. Kjo rrit deri diku përqindjen e mundësive për akte terroriste. Gjithsesi, edhe për këtë janë marrë masat.

“E kemi rritur me 2 milionë euro të tjera buxhetin për sigurinë, pasi do të kemi 1600 agjentë që do infiltrohen midis grupimeve të tifozëve. Ata do jenë syri ynë atje”, shtoi ministri i Brendshëm i Francës, të cilin e pret edhe një përgjegjë- si shumë e madhe përgjatë turneut kontinental. Pikërisht në institucionin që drejton ai, do të jenë dy komanda me specialë, të gatshëm 24 orë në 24, që do qëndrojnë në kontakt me drejtuesit në terren.

Gjithçka është programuar deri në imtësi, në mënyrë që të mos ketë asnjë ngjarje tragjike. Edhe personat që do udhëtojnë drejt Francës do jenë të monitoruar në imtësi.

/Panorama Sport/`