Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Maqedonisë (FOTO)

168

Shqipëri me dy sulmues ndaj Maqedonisë. Xhani De Biazi mendon ta nisë edicionin me një skuadër ofensive, që mund ta gjejë golin shpejt dhe të mos e diskutojë fitoren. Në stërvitjen e vetme të zhvilluar dje në stadiumin “Selman Stërmasi”, trajneri ka zbuluar formacionin, shkruan Panorama Sport.

Edhe pse ka lënë mediat vetëm në 15 minutat e para, burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë Kombëtares tregojnë se italiani ka provuar skemën 4- 4-2, me Sokol Cikalleshin dhe Armando Sadikun në sulm. Ndryshimet më të mëdha kanë qenë në mesfushë, aty ku titullarët e ndeshjes miqësore me Marokun, si Taulant Xhaka, Migjen Basha e Amir Abrashi, janë ulur në stol.

formacioni

Me të zakonshmin Etrit Berisha në portë, De Biazi nuk ka pasur asnjë dyshim sa i përket mbrojtjes. Në krahun e djathtë do të jetë Elseid Hysaj, ndërsa në qendër dyshja Mërgim Mavraj-Berat Gjimshiti, që luajti 90 minuta së bashku në testin e 31 gushtit. Në krahun e majtë rikthehet Ansi Agolli, i cili pritet të mbajë edhe shiritin e kapitenit.

Nga ana tjetër, me mesfushën që është në formë rombi, përpara mbrojtjes do të vendoset Burim Kukeli, ndërsa afër tij do të jetë Ergys Kaçe. Në krahun e majtë do të luajë Jahmir Hyka, i cili duket se ka fituar duelin me Ermir Lenjanin për një vend. Forma e mirë e lojtarit që është pjesë e Luzernës në Zvicër ka ulur në stol Lenjanin. Në krahun e djathtë të mesfushës do të jetë i spostuar Ledian Memushaj.

formacioni1

Në varësi të lojës, skema mund të shkojë edhe 4-2-3- 1, me Memushajn në rolin e një fantazisti dhe Sadikun të spostuar në krahun e djathtë, duke mbështetur Cikalleshin bashkë me Hykën. Gjithsesi, kur mbeten edhe dy ditë nga ndeshja me Maqedoninë, ende nuk mund të thuhet se ky do të jetë 100% formacioni.

E sigurt është vetëm katërshja e mbrojtjes, që duket e stabilizuar tashmë, edhe pse mungojnë ish-kapiteni Lorik Cana i tërhequr dhe Arlind Ajeti prej dëmtimit. Seanca e djeshme ka zgjatur rreth 90 minuta dhe më shumë De Biazi është fokusuar te vendosja e ekipit në fushë. Fillimisht trajneri i ka ndarë lojtarët në disa grupe dhe më pas është zhvilluar testi brenda familjes.

Përveç skuadrës dhe pjesëtarëve të stafit, të vetmit që kanë pasur mundësinë të ndjekin seancën e kuqezinjve kanë qenë trajnerët shqiptarë që po kualifikohen për licencën UEFA PRO.