Fonseka: Luis Suarez ka probleme mendore

103

Daniel Fonseka ka patur një karrierë të suksesshme si futbollist, duke luajtur me klube si Juventusi, Roma apo Napoli në Europë. Por prej vitesh, 46- vjeçari uruguaian merret me menaxhimin e futbollistëve. Një prej tyre ka qenë edhe Luis Suarez, të cilin e transferoi nga Nacionali te Groningeni në Holandë.

Gjithsesi, pak ditë më parë, futbollisti aktual i Barcelonës e akuzoi ish-menaxherin e tij. “Fonseka më ka mashtruar dhe më detyrohet disa para. Ai duhet të më jepte 20% të vlerës së transferimit dhe ajo ishte 1 milion dollarë.

Gjithashtu, më premtoi se paga ime mujore do të ishte 30 mijë dhe unë përfitoja vetëm 10 mijë dollarë. Ka qenë periudhë mjaft e vështirë për mua, pasi isha vetëm 19 vjeç. Menaxherët duhet të kenë rregulla, pasi nuk mund të vazhdohet duke gënjyer fëmijët”, deklaroi Suarez.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Fonsekës. “Janë krejtë- sisht të pavërteta. E kam dëgjuar ta thotë edhe në rrethe shoqërore që unë i detyrohem 200 mijë dollarë dhe nuk e di pse duhet të gënjejë. Nëse vërtet i kam parà borxh, atëherë le të më marrë në telefon dhe të m’i kërkojë.

Pse nuk ka guximin ta bëjë një gjë të tillë? Pse u kujtua pas kaq shumë vitesh?!”, u shpreh menaxheri. “Suarez ka probleme mendore. E them seriozisht këtë gjë. Ai nuk di as të mbledhë numra të thjeshtë, por përdor gishtat.

Është duke u trajtuar nga një psikolog prej kohësh, por nuk ka dhënë efekt. Duhet të merret në dorëzim nga një psikiatër. Të gjithë e dinë që ai ka probleme mendore, edhe pse nuk e pranojnë publikisht”, tha më tej Foneska.

Në fund, ai ka kujtuar edhe një episod që ka ndodhur mbi dhjetë vite më parë. “Më telefonuan tre lojtarë në kombëtaret e moshave të Uruguait që ishin shokë ekipi me Suarezin. Më morën të shqetësuar dhe më treguan për diçka që kishte ndodhur me Luisin. Gjithsesi, deri sa të vdes nuk kam për ta treguar se për çfarë bëhet fjalë”, përfundoi deklaratën e tij uruguaiani.