Flet Veton Surroi: Rexhep Shoshi tentoi të më godasë me çekan

152

Pas lajmeve për rrahjen mes shkrimtarit Veton Surroi dhe biznesmenit Rexhep Shoshi, ka reaguar Veton Surroi.

Surroi ka sqaruar në profilin e tij në Facebook incidentin sotshëm nxitur me biznesmenin Rexhep Shoshi.

Sipas tij, ai u sulmua sepse vendosi të fotografonte uzurpimin e parkingut publik.

“Një informatë për të sqaruar atë që po ndërtohet si njëri prej skandaleve të radhës.

Sot pasdite, duke u kthyer në shtëpi kam fotografuar vendosjen e pengesave metalike, me të cilat uzurpohet parkingu publik i godinës në të cilën banoj. Këto pengesa uzurpuese janë hequr disa herë nga ana e Komuna e Prishtinës, por personi i cili i vendos këto, Rexhep Shoshi, kishte vendosur ta bënte sërish.

Pasi fotografova aktin e vendosjes së pengesave, më goditi fizikisht dhe u detyrova të vetëmbrohem. Ai vazhdoi me sharje dhe kërcënime ndaj integritetit tim personal dhe familjar. Këto nuk i mjaftuan por u përpoq që të më godasë me një çekan. Punëtorët e angazhuar nga ai për vendosjen e pengesave metalike ndërhynë dhe e penguan që të më godasë. Nga ky incident dola pa ndonjë lëndim fizik.

E lajmërova Policinë për sulmin ndaj meje në 18 e 15. Pas dy orë qëndrimi në Stacionin policor më në fund arrita ta jap deponimin tim për ngjarjen.

Kjo është hera e dytë që sulmohem nga Rexhep Shoshi. Për sulmin e herës së parë ai është dënuar me një aktgjykim të plotfuqishëm nga Gjykata kompetente”, ka shkruar Surroi.