Finlandezët nderojnë FFK-në në këtë mënyrë (Foto)

658

Të dielën mbrëma, kryetari i Federatës së Futbollit të Finlandës, Pertti Alaja shtroi një darkë speciale për delegacionin e FFK-së, kryetarin Fadil Vokrri, nënkryetarët Agim Ademi dhe Bekim Haxhiu dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu.

Në këtë darkë ishin edhe kryetari i komunës së Turkut, Seppo Lehtinen dhe zyrtari i FIFA-s, Barrz W Bright që do ta monitorojë ndeshjen Finlanda – Kosova. Kryetari i federatës finlandeze, Alaja duke u dëshiruar mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Finlandë tha se e gëzon fakti që një shtet i ri dhe FFK-ja e posapranuar në UEFA dhe FIFA  është mysafirë i FF të Finlandës dhe se do të takohen në hapjen e eliminatoreve për Kampionatin Botëror.

Ndërkaq, kryetari Vokrri duke falënderuar mikpritësin ka folur edhe për rrugëtimin e futbollit të Kosovës me plotë sakrifica dhe mundime, por që në fund u arrit qëllimi dhe tashmë Kosova është pjesë e kualifikimeve për Botërorin ‘Rusia 2018’.

Ndërsa, Bright theksoi se  është shumë nder dhe emocionuese monitorimi i kësaj ndeshje historike për futbollin e Kosovës.

Të gjithë u pajtuan se nesër do të jetë një ndeshje e mirë dhe me atmosferë sportive dhe korrekte. Në fund të darkës kryetari Fadil Vokrri u dorëzoi dhurata kryetarit të FF të Finlandës dhe të tjerëve.