FIFA: Ky futbollist nuk ka të drejtë të luajë për Kosovën (FOTO)

341

FIFA ka njoftuar se pse ka refuzuar kërkesën e mesfushorit Mërgim Brahimi.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar se pse ka refuzuar kërkesën e mesfushorit Mërgim Brahimi që t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës në futboll.

FIFA në fund të javës së kaluar ka kthyer përgjigje negative për Brahimin, 24-vjeçarin që aktualisht po luan për Grasshopperin në Superligën e Zvicrës, shkruan sot “Koha Ditore”. Vendimin për përgjigje negative, organet e FIFA-s e kanë marrë duke u bazuar në një artikull të Rregullores për Aplikimin e Statutit të FIFA-s, saktësisht në artikullin e tetë që flet për ndryshimin e federatës.

Ky artikull parasheh që lojtari në kushte të caktuara të ketë të drejtë të ndryshojë vetëm njëherë federatën dhe përfaqësuesen.

Brahimi tashmë e ka bërë këtë. Ai ka të kaluar jo shumë të zakonshme në ekipet përfaqësuese. Fillimisht ishte ftuar nga U-20 e Zvicrës dhe U-21 e Shqipërisë. Ndonëse ishte rritur në Zvicër dhe luante në këtë vend, ai iu bashkua U-21 të Shqipërisë.