FFK është e hapur për klubet serbe

216
FIFA nuk është në dijeni se Serbia gjithnjë organizon ndeshje futbolli edhe në territorin e anëtares më të re të saj, Kosovës.

Shtëpia e futbollit botëror i ka thënë “Zërit” se nuk është e informuar rreth këtij fenomeni, derisa topin mundohet t’ia gjuajë UEFA-s, e cila ia kthen në të njëjtën mënyrë. Beogradi zyrtar hesht, kurse FFK-ja vazhdon t’i lusë rreth 20 klube të serbëve të këtushëm që t’i bashkohen.

“FIFA nuk ka qenë e informuar zyrtarisht rreth çështjes që po e përmendni ju. Ndër të tjera, ne nuk mund të komentojmë asgjë për këtë punë”, thuhet në përgjigjen që ka marrë redaksia e “Zërit” nga FIFA.

FFK-ja e ka përsëritur përkushtimin e saj për t’ua hapur dyert klubeve serbe që janë të interesuara t’i bashkohen futbollit kosovar.

“Në Kosovë nuk ka ndonjë ligë të organizuar nga Serbia, kështu që klubet serbe të Kosovës mund të shkojnë të luajnë në Serbi, të cilat ndeshje i konsiderojmë si miqësore, asgjë më shumë. Përndryshe, nëse shohim se dikush synon të zhvillojë aktivitet brenda territorit tonë, do ta konsiderojmë ilegal dhe do t’i informojmë UEFA-n e FIFA-n”, thonë në FFK, të cilët ndërkohë janë të hapur për klubet serbe, mbi të gjitha pas pranimit në UEFA e FIFA.