Feronikeli rrëshqet në Pejë

113

Besa ka fituar duelin kryesor të javës së 20-të në elitën e futbollit kosovar, derisa në shtëpi ka triumfuar përballë kampionit në fuqi Feronikeli (2-1). Nga ky epilog përfundimtar kanë përfituar Gjilanit dhe Hajvalia që tani janë një hap para skuadrës nga Drenasi, njofton Gazeta Sheshi.

Dueli i zhvilluar në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, nisi më mirë për udhëtuesit të cilët realizuan pas 15 minutave lojë përmes Mark Milicajt. Një ish i skuadrës pejane ka dënuar skuadrën e Arbnor Morinës, i cili me një goditje të fortë nga 25 metra shënon gol të bukur.

Goli i disavantazhit veçse i motivoi më shumë vendasit që nisin të kërkojnë golin e baraspeshës. Kur po zhvillohej minuta e 28-të e lojës, gjatë një tollovie pranë zonës së Nezirit, më së miri gjendet mbrojtësi malazes Damijanovic i cili gjuan bukur për të barazuar rezultatin në 1-1.

Edhe në vazhdim ishin vendasit ata që e kërkuan me ngulm golin, mirëpo gjatë kësaj pjesë lojë nuk pati më gola të tjerë.

Në fraksionin e dytë nikoqirët hynë me të njejtën ritëm, duke e kurorëzuar me gol aksionin e minutës së 58-të. Fetim Kasapi pranon një top në mesfushë bën me vrap 10 metra dhe gjuan fuqishëm nga 20 metra dhe shënon super gol.

Tani ishin miqtë ata që kërkonin golin e baraspeshës. Mirëpo, pavarësisht shumë tentimeve atë nuk arritën ta gjenin dot, duke lejuar kështu të mbyllej ndeshja me rezultatin 2-1.

Me këtë fitore Besa mbetet në garë për titullin e kampionit, pasi tashmë ka 32 pikë, pesë më pak se Hajvalia, që e kryeson renditjen pas kësaj jave.

Fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Riza Lushta” realizoi edhe Trepça’89, e cila e mposhti Drenicën, me rezultat 2:0. Golat për skuadrën mitrovicase i shënuan Blerand Kurtishaj, në minutën e 6-të, me gjuajtje me kokë, derisa epërsinë e dyfishoi Mërgim Pefqeli, në minutën e 66-të.

/Gazeta Sheshi/