Feronikeli merr kryesimin, të paktën deri të dielen

121

Skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Feronikeli, ka shënuar fitore në kuadër të javës së 23-të në Raiffeisen Superligë, duke e mposhtur Lirinë, me rezultat 2:0. Sfidën e zhvilluar, të shtunën, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, e ka mbizotëruar plotësisht skuadra e Feronikelit, e cila prej shumë rasteve të krijuara ka arritur t’i realizojë dy gola.

Shifrat e kësaj ndeshje u zhbllokuan në minutën e 28-të, kur Mark Milicaj shënoi me gjuajtja nga këndorja, i ndihmuar paksa edhe nga era, por edhe nga reagimi i dobët i portierit mysafir, Altik Muhaxherit. Ndërkohë, fitoren e Feronikelit e vulosi, Mevlan Zeka, në minutën e 50-të, kur shënoi nga afërsia pas reagimit të dobët të mbrojtjes prizrenase.

Pas kësaj fitoreje Feronikeli ngjitet në pozitën e parë, me 44 pikë, ku do të qëndrojë së paku deri nesër kur Hajvalia luan kundër Drenicës.