Ferizaj lë anash problemet, gati për t’u rikthyer në elitë

150

Rrugëtimi i skuadrës së Ferizajt drejt rikthimit në elitë do vazhdojë në ditën e parë të javës së ardhshme, me ç’rast do fillojnë edhe përgatitjet për stinorin pranveror.

Lajmin e ka konfirmuar kryetrajneri i rikthyer në klub, Agron Selmani, që ka zbuluar ekskluzivisht për “Gazetën Sheshi”, të gjitha detajet.

“Të gjitha mospajtimet që kemi patur me kryesinë e klubit, tashmë i kemi zgjidhur. Kemi vazhduar bashkëpunimin edhe për gjashtë muaj të tjerë, me ç’rast do mundohemi në maksimum të arrijmë objektivin tonë kryesor – rikthimin në elitë”.

Për të realizuar objektivin e paraqitur, sipas Selmanit, skuadra duhet të përforcohet në repartin e sulmit, megjithëse fondi aktual është i kënaqshëm.

“Ne do fillojmë në javën e ardhshme përgatitjet me shumicën e lojtarëve të cilët i kemi patur edhe në stinorin vjeshtor, veç futbollistit Enis Kuka, që ka kërkuar fletëlëshimin për t’u larguar. Do shikojmë mundësinë të forcojmë organikën edhe me disa lojtarë, pasi kemi nevojë në repartin sulmues edhe pse fondi aktual i futbollistëve është i kënaqshëm”, përfundon Selmani.

Kujtojmë që skuadra e Ferizajt, ka mbyllur pjesën e parë të kampionatit si lider i ligës së parë, me ç’rast për 15 javë, ka grumbulluar 34 pikë.