Ferizaj e mbuluar nga paditë e futbollistëve, FFK s’bën asgjë për ta!

499

Klubi Futbollistik “Ferizaj” po përballet me njërën nga situatat më të vështira, ndoshta që nga themelimi i klubit. Gjendja e vështirë financiare ka bërë që klubi të vë në dyshim vazhdimin e garave. Paditë e shumë prej futbollistëve nga edicioni kaluar dhe nga ky edicion mund ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen e klubit dhe ta dërgojnë deri në shuarje.

Siç mëson Gazeta “Sheshi” mbi 11 lëndë ndodhen në Federatën e Futbollit të Kosovës në lidhje mos kryerjen e obligimeve nga ana e klubit ferizajas karshi futbollistëve.

Komisioni Disiplinor prej muajsh ka pranuar këto lëndë, derisa nuk i ka shqyrtuar ende asnjëherë. Futbollistët janë ftuar disa herë në takim me drejtuesit e KF Ferizaj për të gjetur ndonjë zgjidhje sa i përket borxheve, mirëpo ende asnjëri prej tyre nuk është realizuar, pasi përfaqësuesit e klubit kanë munguar.

Futbollistët në kushte anonimiteti i kanë thënë Gazetës “Sheshi” se tashmë po bëhen gati për të dërguar lëndën edhe në Gjykatë dhe në FIFA, pasi që FFK nuk po ndërmerr asgjë me rastin, ani pse kanë kaluar disa afate dhe janë mbajtur disa takime mes tyre, por pa gjetur ndonjë zgjidhje.

“Ne kemi shkuar në çdo takim të ftuar nga Federata, mirëpo kanë munguar drejtuesit e klubit. Kemi qenë të gatshëm për të biseduar, por asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë ofertë apo propozim për ta zgjidhur rastin. Faji është edhe i Federatës, pasi që ka ka shkelur çdo afat që i është dhënë klubit dhe asnjëherë nuk kanë marrë masa. Ne tashmë i kemi ngritur duart nga FFK dhe kemi angazhuar avokatë për ta dërguar lëndën në Gjykatë dhe në FIFA, pasi që ato para janë djersa jonë, me të cilat i mbajmë familjet tona”, thanë disa nga futbollistët.

Se gjendja e klubit të Ferizajt është shqetësuese e konfirmon fakti se klubi përmes faqes zyrtare po bën me dije se është duke luftuar kundër ekzistencës.


Madje, edhe grupimi i tifozëve “Ujqit” në vazhdimësi kishin kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të mos e lënë klubin të shuhet.

Ata kishin organizuar disa protesta në mënyrë simbolike, ndërkohë që janë paralajmëruar edhe disa të tjera.

/Gazeta Sheshi/