Ferguson: Leicesteri do të shpallet kampion që në javën e 35-të

“Dhelprat” mund të forcojnë pozitat e tyre në krye të Premier Ligës sonte me një fitore ndaj Nescastles, që nën urdhrat e trajnerit të ri, Rafael Benitez, do kërkojë të shpëtojë nga rënia. Lestëri synon që në “King Power Stadium” të rifitojë distancën prej 5 pikësh nga Totenhemi pas fitores së djeshme në “Villa Park”.

Dhe Sir Alex Ferguson është i bindur se skuadra e Ranierit jo vetëm që do të shpallet kampione këtë sezon, por beson se do ta hipotekojë titullin 3 javë përpara se të mbyllet sezoni.

“Sigurisht që mund ta fitojnë titullin. Madje, unë besoj se ata do të shpallen kampionë 3 ndeshje përpara fundit”, tha fituesi i 13 titujve të Premier Ligës në stolin e Manchester United gjatë një eventi.

Nëse Leicesteri do të shpallet kampion, do të ketë një debat të madh se cili dha kontributin më të madh në këtë titull historik, Jamie Vardy apo Ryad Mahrez. Por, legjenda skoceze vlerësoi mesfushorin N’Golo Kante si futbollistin më të mirë të këtij sezoni:

“Jo vetëm kaq, por është më i miri me një distancë të madhe nga të tjerët”. 74-vjeçari nuk i kurseu elozhet edhe për shefin e rekrutimeve në “King Power Stadium” dhe zëvendëstrajnerin Stivi Uolsh, i cili zbuloi diamante si Mahrez, Vardy dhe Kante me kosto të papërfillshme. “Njeriu me më shumë ndikim në Premier Ligë ka qenë Stiv Uolsh”.

Analiza – Fergi mendon se Lestëri do të shpallet kampion në javën e 35-të, por shifrat tregojnë se ata do ta prekin trofeun një javë më vonë, pikërisht në shtëpinë e skocezit, “Old Trafford”. 60 pikët që kanë grumbulluar këto 29 javë përkthehen në një mesatare 2.1 pikësh për ndeshje, ndërkohë që Totenhemi e ka atë 1.9, ndërsa Arsenali 1.8. Nëse respektohet ky trend, atëherë ata do të shpalleshin kampionë në ndeshjen e javës së 36- të, përballë skuadrës më të titullar të Anglisë, Manchester United.

/Panorama Sport/