Federata e Futbollit e Kosovës mohon fajin, ia kthen Xhakës

213

Lojtarët që nuk i lanë shtetet tjera për Kosovën janë vënë nën presionin e kosovarëve, të cilëve u ka reaguar Granit Xhaka dhe babai i tij, Ragipi, sipas të cilëve, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është treguar e ngathët dhe e paqartë në procesin e transferimit të yjeve në Prishtinë, raporton “Zëri”.

Por, kjo është mohuar kategorikisht nga FFK-ja, e cila thotë se kushdo që ka dashur të luajë për Kosovën e ka pasur mundësinë.

“Ata thonë se është shkruar vendim dhe kjo është e pasaktë, sepse Komisioni i FIFA-s na ka shkruar se duhet t’i shqyrtojë nga rasti në rast, çdo lojtar veç e veç që dëshiron ta ndërrojë kombëtaren. Lojtarët kanë filluar me kërkesa, kurse ne ua kemi bashkangjitur letrën se dyert tona janë të hapura. Ata lojtarë që kanë dashur t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës e kanë bërë këtë pa rezervë, kurse ne kemi qenë shumë korrektë si me lojtarë, ashtu edhe me federatat tjera”, ka thënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, duke e shpjeguar situatën.

“I kemi dërguar shkresë Gianni Infantinos dhe Shërbimit Ligjor të FIFA-s që të na japë një qëndrim zyrtar se si duhet vepruar me lojtarët tanë të shteteve tjera. Kemi kërkuar dy-tri javë që lojtarët me origjinë nga Kosova të deklarohen se a duan të na bashkohen apo të vazhdojnë për shtetet tjera”, u shpreh ai.

“FIFA na ka thënë se përkundër mirëkuptimit kjo çështje nuk është e rregulluar me Rregullore as me Status të Lojtarëve dhe se duhet një status i veçantë. Përgjigjja ka qenë se e pranojnë si rast të veçantë dhe Komisioni i Statusit të Futbollistëve do të merret me këtë punë. Ai Komision nuk na është përgjigjur zyrtarisht, pavarësisht insistimit tonë. Lojtarët kanë qenë në vazhdimësi të informuar nga ne për krejt zhvillimet”, shtoi ai.

Zëri shkruan se Salihu ka thënë se nuk ka pasur vendime nga FIFA se kush mund të luajë e kush jo për Kosovën, siç pretendon Xhaka. “Nuk është e vërtetë. Nuk ka jurist apo avokat në botë që thotë se vendimi ishte strikt, sepse dyert e CAS-it janë të hapura. Atyre ndoshta u kanë thënë në federatat tjera sepse kanë pasur presion”, potencoi Salihu.

Krerët e FFK-së thanë se kanë pasur kontakte të vazhdueshme me lojtarë e familjarë të tyre, në përjashtim të Adnan Januzajt, për të cilin Albert Bunjaki tha se nuk ia gjente derën për t’i trokitur, pasi ai ishte “zhdukur”.