Faleminderit Mister Ramadani, por ky është kampionat Kosove, këtu nuk durojnë dot as kampionin!

Kampion si futbollist, kampion si trajner! Një revolucionar i vërtetë futbolli që tashmë ka shkruar me të arta historinë e tij andej nga ka shkuar. Dy humbje në katër javët e para në Vala Superligën e Kosovës. Kaq kanë mjaftuar që drejtuesit e Trepçës ’89 ti kumtojnë lajmin kryetrajnerit të skuadrës Zekerija Ramadani që tashmë duhet largohet, megjithëse ende nuk i ka mbushur 1 vit të plotë nga qëndrimi tij në Kosovë.

Shkruan: Drilon SYLEJMANI

Se puna e trajnerit në Kosovë është sikurse “lulja me gjemba” këtë më së miri mund ta dëshmojë Zekerija Ramadani, i cili nuk arriti as ta ujisë lulen e cila lëshoi aromë kampioni për herë të parë në histori brenda “Riza Lushtës”.

Historia e trajnerit shkupjan i cili erdhi në pranverën e këtij viti tek Treça ’89 ka mbetur e shkruar me shkronja të arta në arkivë, por vetëm kaq. Ramadani nuk mbijetoi më shumë se katër javë në edicionin e ri të Vala Superligës 2017/18, me ç’rast u shkarkua nga drejtuesit e klubit pas humbjes në Gjilan ndaj Vllaznisë së Pozheranit (2-1).

Çështë e vërteta Ramadani u palarajmërua nga drejtuesit e “minatorëve” pas humbjes në Prizren për një ndarje të parakohshme, megjithëse duket tejet absurde për vetëm katër javë kampionat!!

Ndoshta gjithçka kishte nisur më herët, aty në Evropën e famshme ku Trepça ’89 nuk e kishte as hijen e vet dhe u eleminua turpshëm nga amatorët e Vikingur.

Sidoqoftë nuk do të ketë asnjë njollë që mund të zhytë historinë e lavdishme të suksesit që ka arritur Zekerija Ramadani me Trepçën ’89, atë të cilën do ta mbajnë mend gjenerata e gjenerata brenda “Riza Lushtës”.

“Zeki” ti po ikën, por prapa lë një histori vërtetë të ndritur dhe para vetës me një mesazh shumë të qartë: Ky është kampionat Kosove, këtu nuk durohet madje as kampioni!