Eshte anti-kushtetuese te marresh kompani te huaj per menaxhimin e OShP-se

88

Nuk është në frymën kushtetuese angazhimi i një kompanie të huaj për menaxhimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP), sepse ky organ është kryesor për shërbimet profesionale dhe si i tillë do të duhej të kompletohet me bord udhëheqës me kompetenca të plota nga vendorët.

Kështu tha për KosovaPress profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, pas propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për të angazhuar një kompani private të huaj për menaxhimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).

Për sa i përket iniciativës për ushtrim privat në OSHP, Baraliu mendon se kjo do të duhej analizuar mirë paraprakisht sepse del jashtë kornizave kushtetuese dhe kompetencave. Ai tha se njerëzit kompetent që do të duhej të ishin aty brenda, duhet të jenë anëtarë të Bordit dhe Këshillit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Mandati i anëtarëve të Bordit është i rregulluar me ligj, por unë mendoj që autorizimi i një kompanie private për të kryer punët që duhet t’i kryejnë institucionet tona nuk është në frymën e Kushtetutës, nuk është në frymën e dispozitave dhe kompetencave të dispozitave kushtetuese ligjore. Do të duhej që sikur deri më tani të zgjidhen njerëzit me konkurs nga Kuvendi dhe Qeveria. Kjo do të duhej të ndodhte sa më parë me caktimin e njerëzve tanë e jo me kompani private të huaja”, tha Baraliu.

Profesori tha se OSHP është institucion i veçantë dhe është në kategorinë kushtetuese, dhe sipas tij me procedura ligjore të kompletohet bordi i ri, meqë ka rëndësi të madhe për vendin.

“Një gjë është e qartë në Kushtetutë që, Organi Shqyrtues i prokurimit është një institucion i veçantë, është kategori kushtetuese dhe si e tillë do të duhej të ishte si Agjenci e kompletuar me bord drejtues, për arsye se është organi kryesor për shërbimet profesionale. Mendoj se do të duhej me procedura ligjore të kompletohet Bordi dhe të fillojë të ushtrojë punën ai organ shumë i rëndësishëm i Kosovës”, tha Baraliu.

Ndërsa drejtori i Institutit Ballkan i Prokurimit(BIP) Ilaz Duli tha për KosovaPress se çdo person i emëruar në OSHP sipas Ligjit duhet të jetë shtetas i Kosovës, kështu që sipas tij ky institucion i prokurimit duhet të udhëhiqet nga kosovarët.

“Me Ligjin e Prokurimit në nenin 100, OSHP duhet me u udhëheq prej kosovarëve, por nuk mund të përjashtohet mundësia e asistimit nga kompanitë e jashtme”, tha Duli njëri prej ekspertëve të prokurimit. /KosovaPress/

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/ideja-e-veselit-per-kompanine-e-huaj-eshte-anti-kushtetuese-67379/#sthash.ZeZDqODz.dpuf