Erdogan kritikon vendet myslimane për mosnjohjen e Kosovës

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka lobuar sërish për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kësaj radhe në Samitin e 13 të Organizatës për Bashkëpunim mes Vendeve Islamike. Në deklaratën e tij, ai u shpreh se nga 56 shtete që bëjnë pjesë në këtë organizatë, ka ende vende që nuk e kanë njohur formalisht Prishtinën zyrtare. Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Rexhep Taip Erdogan lobon për pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ndërhyrja e tij është parë shpesh herë edhe me skepticizëm, sidomos pas një deklaratë të bërë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ku tha se Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka kritikuar shtetet myslimane për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e tij erdhi gjatë samitit të 13-të të organizatës për bashkëpunim mes vendeve Islamike.

Presidenti turk theksoi se nga 56 shtete islamike që bëjnë pjesë në këtë organizatë, ka ende vende që nuk e kanë kryer procesin e njohjes së Kosovës së shtet sovran.

Ai bëri thirrje që një proces i tillë të ndodhë sa më shpejt.

“Në mesin e 56 shteteve myslimane që bëjnë pjesë në këtë organizatë, ka ende vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo duhet të na brengosë. Shumë prej tyre kanë thënë se për këtë apo për atë arsye nuk mund ta bëjnë procesin e njohjes. Megjithatë, unë nënvizoj se këto justifikime më duken të pakuptimta dhe se thjesht sa po e zvarrisin këtë proces” ishin fjalët e Erdogan.

Kosova aktualisht njihet nga 112 vende të cilat përbëjnë afro 56% të shteteve që janë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përkrahja më e madhe për Prishtinën zyrtare ka ardhur nga Europa Perëndimore si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Rexhep Taip Erdogan lobon për pavarësinë e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje për njohjen e Prishtinës Zyrtare edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, ndërhyrja e tij është parë shpesh herë edhe me skepticizëm, sidomos pas një deklaratë të bërë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ku tha se Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë.