Epidemiologu shqiptar: Rikthimi i tifozëve kërkon shumë kohë, të mos vonohet rifillimi i sportit

Pyetja më e shpeshtë sot në radhët e sportistëve, të çdo disipline, është: Kur do të rikthehemi të ushtrojmë profesionin tonë? Natyrisht, për sportet kolektive (futboll, volejboll, basketboll etj.) situata është më e komplikuar, për shkak të rrezikut që paraqet dhe ku distancimi social bëhet i vështirë ose i pamundur. Mundësitë më të mëdha janë që stërvitjet në futboll (mandej edhe në sporte të tjera) të nisin në fillim të muajit maj.

Nuk është hamendësim, por projeksione të kalkuluara që vijnë edhe nga vende shumë më të zhvilluara si ne. Italia, një nga vendet më të goditura nga Koronavirusi, këtë po planifikon: fillim të stërvitjeve pas javës së parë të majit dhe rinisja e sezonit futbollistik në fund të majit ose në fillim të qershorit. Edhe Shqipëria, me gjasë drejt kësaj rruge do të shkojë, ndonëse situata me “COVID-19” është shumë më ndryshe se Italia.

Kontaktuam me mjekun epidemiolog, Ilir Alimehmeti, për të marrë një mendim profesionisti sa u përket mundësive që ka sot Shqipëria për të rinisur aktivitetet sportive në këtë kohë pandemie. Dr. Alimehmeti saktëson për “Panorama Sport” që në fillim se situata do të vlerësohet hap pas hapi dhe vetëm nëse kurba e infektimeve do të jetë e stabilizuar, atëherë mundet që, sipas tij, të vendosen afate konkrete për rifillimin e sezonit.

Doktor, në situatën ku është Shqipëria sot, pra duke marrë parasysh numrin e të prekurve, viktimat, por edhe luhatjet e kurbës së infeksionit nga “COVID-19”, kur mund të flasim për rikthimin e aktiviteteve sportive?
Së pari, mendoj që duhet ta ndajmë diskutimin në dy aspekte: Kur mund të rikthehen aktivitetet sportive, pra ato që ushtrojnë vetëm sportistët dhe e dyta, kur mund të rikthehet sporti në natyralitetin e vet me spektatorët në krah. Sa i përket çështjes së parë, sportit të luajtur, një nga diskutimet që po bëhet sot është ai i Suedisë. Arsyetimi që po përdoret në këtë vend është: Jo më shumë se 80 veta bashkë. Pra, çfarëdolloj gjëje që të ndodhë, nuk mund të jenë më shumë se kaq njerëz bashkë. Këtu u referohem skuadrave, stafeve të tyre, arbitrave etj.

Pra, jo më shumë se 80 veta në të njëjtin ambient. Te futbolli ka edhe një specifikë tjetër, duke qenë se luhet në ambient të hapur, edhe problemi është më i vogël. Në këtë kuptim, ushtrimi i këtij sporti nuk është i ndaluar. Por, nga ana tjetër, nëse flasim për rikthimin e tifozërive, atëherë këtu kemi të bëjmë me risk të lartë. Çdo aktivitet që ka një grumbullim të madh njerëzish është problem.

Të paktën në këtë fazë, derisa të kuptojmë më mirë edhe ecurinë që do të ketë kjo situatë. Të gjithë e dimë sot se Italisë dhe Spanjës, dy nga vendet më të goditura në Europë, u ndodhi ajo katastrofë humanitare për shkak të një ndeshjeje futbolli siç ishte ajo Atalanta-Valencia. Gjithë ajo rritje eksponenciale e të infektuarve erdhi pikërisht prej një ndeshjeje futbolli me tifozë.

Nëse federata dhe Ministria e Sporteve do të kërkonte mendimin tuaj dhe të kolegëve të specializuar për epidemitë se kur mund të rinisë sezoni futbollistik në Shqipëri pa tifozë, ju çfarë do të sugjeronit?
Kjo do të jetë në varësi të situatës. E thënë ndryshe, nëse do të vazhdojmë me masat lehtësuese për popullatën, pra duke realizuar hapjen graduale, dhe konstatojmë se nuk kemi ndonjë rritje të madhe të të infektuarve, atëherë mund të nisim diskutimet për afatet që mund te vendosen për rinisjen e stërvitjeve dhe më pas edhe të sezonit futbollistik. Prova e parë për të gjithë njerëzit në vendin tonë do të jetë ecuria pas lehtësimit të masave. E theksoj, nëse nuk do të ketë rritje dhe kurba e të infektuarve do të jetë sipas parashikimeve apo qoftë edhe me një rritje të pranueshme, pra jo alarmante, atëherë mund të përcaktohen edhe datat për rifillimin e stërvitjeve, por edhe për të rinisur sezoni.

Sa kohë do të duhet që ta kalojmë provën e parë?
Ne sot jemi në 21 prill, besoj dy javë janë të mjaftueshme për të parë situatën dhe për të arritur në konkluzione që rreziku po vjen drejt uljes apo e kundërta. Pra, mendoj që në javën e parë të muajit maj mund të merret një vendim, sepse deri atëherë do të kemi edhe një situatë më të qartë. Pa parë se si do të shkojë situata gjatë kësaj periudhe, është e vështirë të flasësh me saktësi, sepse aktivitetet sportive bëjnë pjesë në kategorinë e aktiviteteve me risk të mesëm, jo të ulët. Por, edhe shumë nuk duhet dramatizuar, sepse po flasim për sportistë, njerëz të fuqishëm, dhe ata vetë janë persona me risk të ulët, ndonëse aktiviteti është me risk të mesëm. Në këtë kuptim, nuk ka pse të mbahet shumë gjatë e mbyllur pjesa e sportit.

Doktor, ju përmendët me të drejtë rastin e Italisë dhe të Spanjës, por sot që po flasim, Italia diskuton që stërvitjet për skuadrat e futbollit të nisin më 7 maj dhe kampionati të nisë më 27 maj ose 3 qershor. Duke para statistikat në Shqipëri, a nuk është paksa e tepruar që t’u referohemi vendeve më të goditura në Europë për mënyrën se si duhet të veprojmë këtu?
Shikoni, kjo është një situatë që varet nga dinamikat e momentit. Unë jam dakord në parim, duke iu referuar gjithnjë situatës aktuale, që të ndiqet edhe këtu kjo strategji me sportin dhe futbollin në veçanti. Por, e theksoj, derisa të merret vendimi për një datë përfundimtare, duhet të merret në konsideratë dinamika e zhvillimeve gjatë ditëve në vijim. Sot që po flasim, për mua është e pranueshme alternativa për të nisur stërvitjet diku rreth datës 7 ose 10 maj dhe më pas të nisë kampionati. Deri atëherë bëhet fjalë për një periudhë mbi dy javë dhe do të kemi mundësi ta vlerësojmë situatën rast pas rasti.

Po tifozët, kur mund të rikthehen në stadium?
Kjo bën pjesë në fund fare të planeve për hapjen. Është me rrezikshmëri të lartë dhe mendoj se do të jetë ndër gjërat e fundit që do të hapen. Nuk mund të thuhet sot me saktësi, por e sigurt është që do të duhet kohë.