Emini pas titujve në Maqedoni e Shqipëri e kërkon në Kosovë

Pas më shumë se një dekade si profesionist në futbollin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Izair Emini ka vendosur që ta shijojë edhe futbollin e Kosovës.

Sulmuesi 33-vjeçar, në edicionin e ri që nis në gjysmën e këtij muaji, do ta bartë fanellën e Dritës, me të cilën ka firmosur kontratë njëvjeçare. Në dy edicionet e fundit, Emini ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, me të cilin ekip fitoi dy tituj kampioni. Në fakt, Emini ka tre tituj me fanellën e ekipit tetovar (2010/11) si dhe dy Kupa të Maqedonisë. Atij nuk i kanë munguar sukseset as në futbollin e Shqipërisë. Për një edicion sa luajti te skuadra e Kukësit (2016/17), Emini arriti të fitojë tre trofe: titullin, kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. E trofe, Emini synon edhe me Dritën. Karrierë ka bërë edhe te skuadra tjetër e Maqedonisë së Veriut, Renova dhe me këtë ekip ka arritur të shpallet golashënuesi më i mirë i kampionatit në edicionin 2014/15, shkruan Koha Ditore.

“Kam luajtur në kampionatet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ku kam fituar tituj dhe dëshira ime ishte që këtë herë të provoj edhe një sfidë në Kosovë dhe te shoh se si do të shkojnë gjërat”, është shprehur Emini në një bisedë për gazetën. “Normalisht, synimet e mia si futbollist gjithmonë kanë qenë të mëdha. Te Drita kam ardhur si kampion dhe dua të largohem si i tillë. Besoj se mund ta bëjmë këtë pasi kemi një grup të shëndoshë lojtarësh dhe atmosfera është e jashtëzakonshme në ekip”.

Emini e pranon se te Drita presin shumë në edicionin e ri. Ekipi nga Gjilani dëshiron ta përsërisë suksesin që e pati në edicionin 2017/18, ku e fitoi titullin e kampionit dhe u paraqit në garat evropiane. Thotë se dëshira e tij është ta përsërisë këtë sukses, por pranon se do të jetë vështirë.