Elita e futbollit kosovar po e humb klubin emblemë

Klubi i mirënjohur i futbollit kosovar, Liria e Prizrenit, po kalon nëpër një gjendje të rëndë. Liria është shumë pranë që ta humbë statusin e skuadrës elitare. Kryetari i klubit Ilijaz Ilijazi, trajneri Erdogan Celina dhe futbollistët që kanë lënë gjurmë në këtë ekip i zbulojnë faktorët e rënies së madhe të Lirisë

Liria e Prizrenit është një ndër klubet emblemë të futbollit kosovar.

Klubi nga Rrafshi i Dukagjinit në edicionin e fundit ka kaluar shumë batica dhe zbatica e që si rezultat i tyre ka ardhur në një gjendje të rënduar.

Bardhezinjtë janë buzë greminës, rënies në një kategori më poshtë.

Kur kanë kaluar 29 xhiro në Superligën e Kosovës në futboll, Lirinë vetëm matematika e mban në elitë, pasi që ndodhet e parafundit në tabelë me 21 pikë të mbledhura.

Pyetja e madhe që është shtruar në javët e fundit në qytetin e bukur është se kush e solli Lirinë në këtë gjendje.

Gazeta “Zëri” e ka kontaktuar kryetarin e këtij klubi Iljaz Iljazin, i cili ka folur për gjendjen në klub. “Konkurrenca e madhe dhe investimet e mëdha në Superligë na kanë vështirësuar situatën dhe ne do të luftojmë deri në momentin e fundit që t’i shpëtojmë rënies nga Superliga. Matematikisht kemi ende mundësi për mbijetesë, edhe pse është e vështirë”, nis bisedën për gazetën “Zëri” Iljaz Iljazi.

Në pyetjen se çka ka ndikuar për të ardhur një situatë e tillë, Ilazi i veçoi disa faktorë.

“Kam trashëguar 170 mijë euro borxhe, kjo ishte arsyeja e parë. E dyta është se kemi vetëm dy lojtarë nga skuadra paraprake, pra të gjitha janë bërë nga zeroja. Nuk kemi pasur zgjidhje të mëdha, pasi nuk kemi pasur as mundësi financiare. Prandaj gjithë kjo ka rezultuar me këtë situatë në të cilën është Liria. Jemi munduar me mjetet që na ka dhënë Komuna, por nuk kanë qenë të mjaftueshme”, ka deklaruar Iljaz Iljazi, i cili shpreson në ditë të mira.

Ndërrimi i trajnerëve dhe sjellja e futbollistëve-këngëtarë në ekip

Liria në këtë edicion nuk ka qenë stabile as me trajnerë. Si fillim e nisi Bedredin Gjinali, derisa pas largimit të tij ekipin e mori Gazim Hasi.

As Hasit nuk i eci, teksa prizrenasit “peshkuan” në Itali për t’ia besuar detyrën e trajnerit Alberto Vicenzo Annezes, që doli të jetë dështim total.

Ky i fundit i solli disa lojtarë të huaj nga Amerika Latine, të cilët dolën të jenë edhe këngëtarë.

Pas dëshmimit të tij dhe shkarkimit nga ana e klubit, drejtimin e Lirisë e mori trajneri me shumë përvojë, Erdogan Celina. Ai e mori ekipin shumë vonë. “Situata është siç është. Gjasat për të mbijetuar janë vetëm teorike, kështu që të presim edhe këto katër xhiro dhe le ta shohim se si do të vazhdojë Kryesia më tutje”, ka thënë Celina. “Unë jam qe dy muaj këtu dhe nuk mund të flas për faktorët, për këtë flasin të tjerët. Nga Kryesia mund të flasin nëse ka pasur gabime ose jo. Neve na mbetet vetëm të punojmë. Kur kam ardhur te Liria nuk kam premtuar asgjë. Kemi dhënë maksimumin, por situata është kjo”, shtoi Celina.

Ai foli edhe për të ardhmen, derisa jep këto vlerësime për daljen nga kriza. “Duhet të mos përsëriten gabimet në të ardhmen dhe të gjendet një rrugë që të kthehet Liria në vendin e duhur. Me siguri duhet punuar në periudhë afatgjatë, nëse jo kjo, atëherë duhet transferuar lojtarë nga jashtë sikur klubet tjera të Superligës, por të mos bëhen gabime me transferime”, potencoi Erdogan Celina.

Reagimi i Erdogan Brandos

Erdogan Brando është njëri ndër lojtarët që në të kaluarën ka dhënë shumë kontribut te Liria.

Ai tashmë punon si ndihmës i Celinës. “Sigurisht se edhe juve që po e bëni pyetjen për gjendjen e Lirisë ju vjen keq për situatën. Mendoj se duhet të mobilizohemi dhe të bëjmë një ekip për të ardhmen me lojtarë vendorë, në mënyrë që të dalim nga kjo situatë”, theksoi Erdogan Brando, i cili ka një karrierë shumë të pasur si futbollist, duke luajtur edhe në Shqipëri e Maqedoni.

Gjeraj e fajëson trajnerin italian

Robert Gjeraj tashmë luan për Besën e Pejës, por ai është njëri ndër lojtarët që ka dhënë shumë kontribut te Liria, skuadra e qytetit të tij.

Mbrojtësit dhe ish-kapitenit të Lirisë i vjen shumë keq për gjendjen në klub. “Këtë gjendje e ka sjellë trajneri italian, bashkë me disa servilë që i ka pasur aty e që nuk e kanë treguar realitetin. Ai nuk e ka ditur as sa ndërrime bëhen në Kosovë. Këtu ka përgjegjësi edhe kryetari me bordin e vet, që ia kanë besuar atij klubin. Transferimet që i ka sjellë ai nuk kanë qenë përforcime, por dobësime. E dinë të gjithë, ka sjellë në ekip këngëtarë. Deshëm ose nuk deshëm, përgjegjësia bie mbi kryetarin, për të cilin kam shumë respekt e i cili i ka kryer të gjitha obligimet financiare”, deklaroi Gjeraj. “Lojtarët aktualë që janë në ekip mendoj se klubi duhet t’i shpërblejë për faktin se kanë punuar me një trajner ku nuk është ditur se çfarë gjuhe të përdoret. Për fund Liria është mbi të gjitha e qytetit. Shpresoj që sa më shpejt do të kthehet në Superligë”, përfundoi Robert Gjeraj.