“Elektricistët” po punojnë shumë për rikthim në Superligë

383

KF KEK-u është në fazën finale të përgatitjeve për Kampionatin e ri që nis më 20 gusht.

“Elektricistët” që garojnë në Ligën e Parë, nën drejtimin e trajnerit Sami Sermaxhaj janë duke punuar intensivisht gjatë përgatitjeve për sfidat e reja.

Ndonëse më skuadrën thuaj se të njëjtë më sezonin e kaluar, e më disa përforcime, skuadra nga ‘Agron Rama’ objektiv e ka rikthimin në elitën e futbollit, aty ku ishte pak vite me parë.

Tekniku i KEK-ut, Sami Sermaxhaj i ka thënë KosovaPress-it se është i kënaqur me punën që po bëhet gjatë përgatitjeve. Sipas tij, ideja e KEK-ut është që më disa lojtarë të rinj të arrihen objektivat e klubit.

“Edhe këtë vit KEK-u ka bërë disa ndryshime në ekipe dhe ideja është që disa lojtarëve që kanë qenë në shkollën e futbollit t’u jepet rasti të luajnë në Ligën e Parë. Ideja është që KEK-u me lojtarë të rinj të arrijë objektivat e veta. Ideja është thash edhe një herë më lojtarë të ri, por pastaj objektivi i klubit është që të kemi një stabilitet në Ligën e Parë, të punojmë ashtu siç kemi punuar vitin e kaluar”, ka thënë Sermaxhaj.

Ai ka folur edhe për garën për kreun e tabelës. Sipas Sermaxhajt rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan aspekti financiar. Sermaxhaj thotë se skuadra e cila do të qëndrojë më mirë ekonomikisht do të ketë kandidat për kreun tabelës. Sipas tij, Vëllaznimi ka përparësi në këtë drejtim, por ai thotë se nuk duhet harruar as Flamurtarin.

“Në Ligën e Parë përveç punës dhe grupit të lojtarëve, faktor shumë i rëndësishëm është edhe aspekti financiar, dhe mendoj se Vëllaznimi ka përparësi sa i përket organizimit të klubit edhe në aspektin financiar, por mendoj se edhe Flamurtari është gjithmonë është ekip i fortë, ndoshta edhe ekipet tjera, mirëpo, nuk dihet së në Kosovë brenda ditës mund të bëhet ndonjë organizim dhe nëse ka mbështetej të financave, atëherë objektivi shumë më lehtë arrihet”, ka thënë Sermaxhaj.

Ndërkaq, futbollisti Faton Hashani mendon se skuadra e tij është e përgatitur mirë për edicionin e ri. Ai është i bindur se KEK-u mund të futët në Superligë. Hashani thotë se Vëllaznimi, Kosova e Vushtrrisë, Flamurtari dhe KEK-u do ta kenë fjalën kryesore në garën për majat e tabelës.

“Përgatitjet janë duke shkuar mjaft mirë, jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe besoj se do të hyjmë në Superligë. Ekipin e kemi kryesisht të vitit të kaluar dhe më disa ndryshime të vogla, por mendoj se ekipa është e mirë. Mund të jetë Vëllaznimi, Kosova e Vushtrrisë, Flamurtarit dhe KEK-u, këto ekipe besoj se kanë më luftuar për titull”, ka theksuar Hashani.

Edhe Besart Dushi, një tjetër futbollist i KEK-ut, beson se skuadra e tij do të rikthehet në mesin e skuadrave elitare të vendit tonë. Dushi thekson se KEK-u është duke u përgatitur mirë për betejat e reja.

“Jemi të përgatitur shumë mirë, po punojmë intensivisht dhe kushtet janë shumë të mira. Ambiciet tona janë Superliga. Besoj se edhe më disa përforcime mund të hyjmë në Superligë”, ka pohuar Dushi.

KEK-u tri ditë më parë zhvilloi miqësoren kundër Lirisë, takim që u mbyll pa gola, ndërsa të dielën KEK-u luan miqësoren e radhës kundër Prishtinës.