Eksperti kundër xhihadizmit: Plan “Marshall” për Mesdheun jugor

76

Politologu gjermano-egjiptian, i specializuar në fushën e xhihadizmit dhe propagandës xhihadiste në internet, Asiem El Difraoui i nis pohimet e bera per mediat gjermane me një konstatim të dhimbshëm por të vërtetë. 

“Ne i kemi nënvlerësuar islamikët”, thotë ai pas sulmeve që fokusuan Brukselin, por që duke goditur kryeqytetin e Europës, synuan të prekin kësisoj të gjithë europianët. Forcës së ekstremistëve dhe nivelit të tyre të organizimit, për El Difraouin nuk i është kushtuar serioziteti i duhur.

Pas arrestimit të Abdeslamit duhet të ishte marrë me mend që do të kishte lëvizje nga celulat e tjera, askush nuk dëshiron tani t’i kritikojë hapur belgët – thotë ai, – por neglizhenca është shumëvjeçare.

Në Bruksel kanë kaluar shumë militantë të përfshirë në sulme të profilit të lartë në Europë e përtej saj, përfshirë disa prej atyre që planifikuan apo morën pjesë në sulmet e 11 shtatorit në Amerikë apo shpërthimet e 2004-s në Madrid.

El Difraoui e sheh si të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit europian, si mënyra e vetme për të luftuar terrorin e për të parandaluar radikalizimin. Jo se ai nuk ekziston, por nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për të hequr dorë nga sovraniteti nacional e ligjet sovrane.

Ai propozon një plan “Marshall” për Mesdheun jugor, ku – siç thotë – krijohet terreni pjellor për xhihadizmin. Politologu tërheq vëmendjen nga ana tjetër, te ndikimi që mund të kenë ngjarjet e fundit mbi debatin për refugjatët. “Ekstremistët duan ta polarizojnë, ta përçajnë shoqërinë tonë duke nxitur frikën, – vëren ai. – Por ne nuk duhet të biem prè e tyre”.