EKSKLUZIVE: UEFA lëshon alarmin, terreni në ‘Fadil Vokrri’ nuk i plotëson kushtet për ndeshjet e muajit mars

Organi më i lartë i futbollit evropian UEFA ka lëshuar një alarm shumë të fuqishëm drejt Federatës së Futbollit të Kosovës, teksa ka dhënë vërejtje të mëdha për gjendjen e fushës së lojës të stadiumit ‘Fadil Vokrri’, raporton ekskluzivisht Gazetasheshi.com.

Terreni nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme si pasojë e ngarkesës së madhe që ka patur muajt e fundit, ndërkohë UEFA ka urdhëruar Federatën e Futbollit të Kosovës të marrë masa në lidhje me këtë çështje.

Kështu ndeshjet e javës së 23-të, të cilat janë paraparë të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” do të shtyhen.

Kështu, Prishtina do të luajë më 27 mars ndeshjen e javës së 23-të të Ipko Superligës, e cila ishte e paraparë të luhet më 17 mars.

Përpos shtyerjes së ndeshjes së Prishtinës, mund të shtyhet edhe ajo e Flamurtarit, gjithnjë nëse kuqezinjtë do e luajnë në shtëpi ndeshjen e parë të fazës së tretë.

Kujtojmë që Kosova do të zhvillojë dy ndeshje në muajin mars në “Fadil Vokrri”.

Fillimisht luan më datë 21 në miqësoren ndaj Danimarkës dhe më 25 kualifikuesen e Evropianit ndaj Bullgarisë.