EKSKLUZIVE: “Sheshi” siguron protokolet zyrtare të Muriqit te Liria, klubi prizrenas kërkon të përfitojë nga transferimi i tij

Vedat Muriqi është njëri nga emrat më të përfolur në merkaton e verës, derisa shumë media evropiane kanë raportuar se sulmuesi i Kosovës mund të ndryshojë destinacion, me klubin e Lazios nga Italia që është tejet e interesuar për ‘bomberin’ prizrenas, shkruan Gazetasheshi.com.

Një lëvizje e tillë nuk do të ishte fitimprurëse vetëm për Fenerbahçen që kërkon 20 milionë euro për shërbimet e 26 vjeçarit, por edhe për ish-klubet e tij, të cilët mund të marrin fondin e kompensimit të 5% nga UEFA.

Pikërisht për këtë arsye janë angazhuar edhe zyrtarët e Klubit Futbollistik “Liria”, të cilët tashmë kanë nisur procedurat drejt shtëpisë më të madhe të futbollit në Evropë, për të argumentuar kështu të vërtetën e vetme, se Muriqi ishte krijim dhe produkt i prizrenasve, të cilët ende nuk kanë marrë asnjë çindarkë edhe pse Muriqi ka bërë disa lëvizje milionëshe gjatë karrierës.

Madje, ‘bardhezinjtë’ kanë angazhuar edhe avokatë ndërkombëtarë për t’u marrë me këtë çështje, teksa kanë prezantuar një varg dokumentash që tregojnë se Muriqi ishte pjesë e tyre dhe krejt kjo falë punës së madhe të sekretarit të këtij klubi Bashkim Kajdomçaj, i cili ka ruajtur me fanatizëm të gjitha dokumentet zyrtare.

Disa nga këto dokumente tashmë i ka siguruar edhe Gazeta “Sheshi”, të cilat do t’i botojë ekskluzivisht për herë të parë. Bëhet fjalë për protokolat zyrtarë të ndeshjes, në të cilat Muriqi figuron si futbollist i klubit të Lirisë:

1. Protokoli nga ndeshja: Trepça 1-3 Liria (Vedat Muriqi autor i dy golave) – Edicioni 2011/12

2. Protokoli nga ndeshja: Liria 2-1 Hysi (Vedat Muriqi autor i një goli) – Edicioni 2011/12

3. Protokoli nga ndeshja: Liria 2-3 Drita (Vedat Muriqi autor i një goli) – Edicioni 2011/12

4. Protokoli nga ndeshja: Liria 2-0 Lepenci (Vedat Muriqi autor i një goli) – Edicioni 2011/12

/Gazeta Sheshi/