EKSKLUZIVE: Këto janë përforcimet e para te Flamurtari për edicionin e ri

Flamurtari ka filluar të konsolidojë radhët pas largimit nga kampionati elitar, derisa tashmë ka filluar përgatitjet për edicionin e ri në Ligën e Parë, shkruan Gazetasheshi.com.

Drejtuesit e klubit e kanë nisur që nga stoli duke e ëmëruar shef të shtabit teknik trajnerin e njohur kosovar Jusuf Tortoshi.

Gazeta “Sheshi” merr vesh ekskluzivisht se kryeqytetasit tashmë kanë arritur marrëveshje edhe me disa futbollistë, duke afruar në radhët e veta ‘gardianët’ Afrim Ademi nga Llapi dhe Donart Krasniqin nga Ballkani, mbrojtësin Denis Haliti nga Ulpiana dhe sulmuesin e krahut Leart Eminin nga Trepça ’89.

Këto informacione janë konfirmuar edhe nga kryetari i klubit, Imer Ademi, i cili për Gazetën “Sheshi” ka thënë se kanë nënshkruar tashmë me këta futbollistë dhe presin të ketë edhe risi të tjera.

Imer Ademi, kryetar i KF Flamurtarit

“Po, është e vërtetë që kemi nënshkruar me këta futbollistë. Mund të ketë edhe ardhje të reja, kështu që nuk mund të konfirmoj diçka më shumë”, theksoi Ademi.

Gjithashtu ‘kuqezinjtë’ kanë rinovuar me pjesën më të madhe të ekipit, ndërkohë janë konfirmuar largimet e mbrojtësve Valdo Zeqaj dhe Gentrit Dumani, mesfushorit Agron Bruqi dhe sulmuesit Shend Kelmendi.

/Gazeta Sheshi/