Efekti i ‘kurbanit’ tek Hajvalia

Besoni apo jo, që nga momenti që Hajvalia e ka prerë kurbanin në stadiumin e Kizhnicës, nuk e ka pësuar asnjë humbje.

Efekti i Kurbanit ka qenë i pabesueshëm. 10 fitore dhe vetëm një barazim kanë qenë rezultatet e Hajvalisë në shtëpi që nga prerja e Kurbanit dhe ardhjes së trajnerit të ri, Ismet Munishi, shkruan Infokusi.com.

Vetëm Vushtrria ka arritur të kthehet me një pikë nga Kizhnica, kurse të gjitha ekipet tjera janë kthyer kokulur duke mos arritur asnjë pikë kundër Hajvalisë së motivuar të Munishit.

Të gjitha skuadrat që luftojnë për titull, si Feronikeli, Gjilani, Llapi, Besa e Trepça ’89 kanë pësuar humbje në duel Hajvalinë. Që nga 11 shtatori 2015, Hajvalia nuk njeh kundërshtarë si vendas. Sa për statistika, humbja e fundit e Hajvalisë si vendas, ka ndodhur para 212 ditëve. Me 29 gusht 2015 ishte mposhtur nga Drenica me rezultat 2 me 1.

Aq e madhe u bë prerja e Kurbanit, saqë zyrtarët e Hajvalisë, përfshirë edhe trajnerin Ismet Munishi, nuk pranoni më të flasin për këtë çështje. Megjithatë, Hajvalia ia pa hajrin kurbanit deri me tani. Pas 22 xhirove të luajtura, Hajvalia ka 41 pikë dhe renditet në pozitën e parë me pikë të njëjta me Feronikelin.