Edita Tahiri: BE-ja po merret intensivisht me çështjen e kodit telefonik për Kosovën

89

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se Bashkimi Evropian po angazhohet intensivisht për çështjen e kodit telefonik për Kosovën dhe se kjo marrëveshje do të realizohet sa më shpejt që është e mundur.

Lidhur me marrjen e kodit telefonik për Kosovën nga ana e ITU-së e cila sipas marrëveshjes është dashur të realizohet më 1 mars 2016, Tahiri ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me përfaqësuesit e BE-së të angazhuar në Dialogun e Brukselit për të shprehur shqetësimet në lidhje me moszbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën për të cilën presioni i opinionit publik dhe i mediave në Kosovë është gjithnjë në rritje.

Sipas një komunikate për media të Ministrisë, ata kanë theksuar se procesi po shkon drejt finalizimit dhe janë disa çështje më tepër të natyrës teknike të cilat po marrin kohë, mirëpo janë shprehur optimistë se do të zgjidhen shpejtë.

Tahiri ndër të tjera ka përkujtuar BE-në se çështja e telekomit dhe në veçanti çështja e kodit telefonik për Kosovën janë në tryezën e bisedimeve tash gati pesë vjet, ndërsa marrëveshja është arritur në shtator 2013, porse që nga ajo kohë zbatimi ende nuk ka ndodhur.

“Bashkimi Evropian ka siguruar se marrëveshja e Brukselit për këtë çështje do të zbatohet dhe që Kosova dhe qytetarët e saj do ta kenë kodin telefonik për vendin e tyre, për të cilën përkushtimi i BE-së mbetet i plotë. Po ashtu, zyrtar të BE-së kanë thënë se janë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme kjo çështje për qytetarët e Kosovës, si dhe e kanë parasysh se bisedimet për kodin telefonik kanë zgjatur me vite dhe se zbatimi i saj është vonuar, mirëpo kanë shprehur përkushtimin për ta përmbyllur këtë çështje, ndërkohë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Kosovës me premtimin se në mënyrë prioritare do të zgjidhet”, thuhet në njoftim./KosovaPress/