E turpshme mënyra se si e ka mësuar shkarkimin Besnik Hasi

333
Besnik Hasi nuk është më trajner i Legias së Varshavës.

44-vjeçari shqiptar është shkarkuar sot nga drejtimi i skuadrës polake nga drejtuesit e klubit, por mënyra se si ata kanë zgjedhur ta bëjnë një gjë të tillë ka qenë shumë e veçantë, pasi njoftimi është bërë nëpërmjet “Twitterit” të një prej drejtuesve, kur tekniku shqiptar nuk dinte asgjë.

Shefi ekzekutiv i klubit, Boguslav Lesnodorski, bëri një postim në “Twitter” në orën 19:59, me frazën “Nga dita e nesërme, skuadrën e drejton Vuko”.

Vetëm katër minuta më vonë, faqja e klubit raportoi se Besnik Hasi ishte shkarkuar nga drejtimi i skuadrës. “Besnik Hasi është larguar nga detyra e trajnimit të skuadrës së parë të Legias së Varshavës. Nga e hëna, skuadra do të drejtohet përkohësisht nga asistenti i tij, Aleksandar Vukoviç”, shkruhej në këtë njoftim i cili më pas citonte pikërisht “cicërimën” e shefit ekzekutiv si burimin e këtij vendimi.

Pasi lajmi bëri bujë në mediat polake, Lesnodorski u detyrua të shpjegonte nëpërmjet një “cicërime” tjetër se si kishin rrjedhur ngjarjet. “Trajneri u largua. Mikael pati një bisedë me të dhe i kërkoi të dorëhiqet… Trajneri nuk e pranoi propozimin”, shkroi ai në adresën e tij në “Twitter”, duke iu referuar një bisede që Hasi kishte pasur me drejtorin sportiv të Legias, Mikal Zevlakov.

Por fakti është se në momentin kur drejtuesi i Legias bënte postimin e tij në “Twitter”, Hasi nuk e dinte që ishte marrë ky vendim nga klubi, sepse gjendej ende në dhomat e zhveshjeve me skuadrën pas humbjes 2-3 në kampionat ndaj Zaglebie Lubin.

“Unë jam ende trajneri i skuadrës. Nëse klubi vendos ndryshe, unë do ta pranoj vendimin. Të hënën do të zhvilloj bisedime me zyrtarët. Nuk dua të flas publikisht për këtë çështje pasi bisedime të tilla bëhen në një rreth të ngushtë”, ishin fjalët e Hasit rreth shkarkimit në konferencën për shtyp pas ndeshjes në fjalë, edhe pse postimi në “Twitter” i drejtuesit kishte disa minuta që ishte publikuar.

Disfata e mbrëmshme ishte e katërta në këtë kampionat për Legian e Hasit, që mban vendin e 14 me 9 pikë. Ndërkaq, ekipi la shumë për të dëshiruar edhe në Ligën e Kampioneve, ku u mund në shtëpi me shifrat 6-0 nga Borusia e Dortmundit.

Hasi iu bashkuar skuadrës polake gjatë verës, pasi u largua nga drejtimi i Anderlehtit, skuadër me të cilën kishte fituar kampionatin belg dhe kishte dhuruar disa paraqitje shumë të mira në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës.