E treta e vërteta për Kosovën

229

Pas dy përpjekjeve të dështuara, Kosova për të tretën herë do të kërkojë ta shijojë fitoren e parë në eliminatoret e “EuroBasketit 2017”, shkruan sot gazeta Zëri.

Përfaqësuesja kosovare të martën ka udhëtuar drejt Bullgarisë, me të cilën do të takohet të mërkurën në ndeshjen e tretë eliminatore për Kampionatin Evropian.

“Dardanët” fillimisht ishin mposhtur në Slloveni me rezultat të thellë, 113:68, e pastaj edhe në Mitrovicë nga Ukraina me rezultat 70:63.

Por, reprezentuesit kosovarë janë mobilizuar për ta ndërprerë serinë e humbjeve, raporton Zëri.

Vetë përzgjedhësi Arben Krasniqi dhe gjithë lojtarët e tij kanë shkuar në Bullgari me optimizëm se do ta arrijnë fitoren e parë zyrtare, edhe pse janë të vetëdijshëm për sfidën e vështirë që i pret.

Reprezentuesit kosovarë janë të kënaqur me lojë që shfaqën përballë Ukrainës gjë që ua ka shtuar vetëbesimin para përballjes me bullgarët.

Kosova për herë të parë po garon në një kampanjë eliminatore, ndërsa synim kryesor e ka një biletë për eliminatoret e Kampionatit Botëror.