E shtuna, zi kombëtare në Itali

E shtuna u shpall ditë zije kombëtare në Itali, në homazh të rreth 300 personave që humbën jetën si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi rajonet qendrore. Flamujt në të gjitha godinat publike u ulën në gjysmështizë.

Kryeministri Mateo Renzi do të marrë pjesë në funeralet shtetërore për viktimat e shënuara në Arkuata, një prej qytezave më të goditura. Gjendja e emergjencës u shpall në zonat e prekura dhe një fond prej 50 milionë eurosh u akordua për rindërtimin.

E ndërsa lëkundjet vazhdojnë të mos i japin asnjë minutë paqeje banorëve të tronditur, bilanci zyrtar i të vdekurve ka shkuar në të paktën 284. Autoritetet thanë se nuk do t’i ndërpresin kërkimet derisa të sigurohen se janë gjetur të gjithë, është pse shpresat për të mbijetuar po veniten tashmë.

Që prej mbrëmjes së mërkurës nuk është gjetur askush i gjallë. Shumica e viktimave ishin italianë, por kishte gjithashtu edhe disa të huaj, përfshirë 3 shtetas britanik. Operacionet e kërkimet janë vështirësuar nga qindra lëkundje të tjera të tokës, njëra prej të cilave dëmtoi rëndë një urë të rëndësishme në Amatriçe.

Shumica e trupave janë dërguar në një morg të improvizuar në një hangar në qytetin e Rietit, ku të afërmit kanë identifikuar të dashurit e tyre. Funerali i parë për viktimat e tërmetit u mbajt të premten për djalin e një zyrtari shtetëror që humbi jetën në Amatriçe.

Të paktën 388 vetë po kurohen në spital, ndërsa më shumë se 2 mijë kanë mbetur të pastrehë. Qeveria italiane po përballet me kritikat se dështoi në parandalimin e vdekjeve pas tërmetit të vitit 2009 në Akuila që shkaktoi 300 viktima.