E marta e “zjarrtë” e Champions League

103

UEFA Champions League do të caktojë të martën në mbremje dy skuadrat e para gjysmëfinaliste në 180 minuta të zjarrta. Manchester City-Paris Sant Germain dhe Real Madrid-Wolfsburg janë dy sfidat ku do të caktohet fati i tyre pas ndeshjeve të para që lanë të hapu çdo mundësi kualifikimi për të katërta ekipet. Misionin më të vështirë e ka Reali i Madridit që pret gjermanët pas disfatës shokuese 2-0 të ndeshjes së parë por në “Bernabeu” djemtë e Zidane premtojnë një tjetër muzikë duke besuar te kualifikimi. Edhe pse nuk arritën të shënonin të paktën një gol, “Los Blancos” mbështeten te cilësitë e lojtarëve të klasit botëror, të frymëzuar nga Cristiano Ronaldo, të cilët do të luajnë ndoshta sfidën më të rëndësishme të sezonit. Pokeri i golave ndaj Eibarit ishte një sinjal i qartë për kundërshtarët, të cilët kanë një avantazh të madh duke llogaritur edhe faktin që nuk pësuan asnjë gol në 90 minutat e para.

Lajmi më i mirë në kampin spanjoll është rikuperimi i Varane dhe Benzema që pritet të zbresin në fushë që nga minuta e parë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Zidane do të hedhë në fushë sërish 11-ëshen titullarë të El Clasicos me Casermiron që nga minuta e parë për të synuar gjysmëfinalen e gjashtë rresht në këtë kompeticion, ndërsa në krahun tjetër, “Ujqërit” nga Gjermania, në rast kualifikimi do të regjistronin një arritje historike. Në sfidën tjetër, Manchester City dhe Paris Saint Germain do të ndajnë vetëm një biletë që do të justifikojë milionat e shpenzuara nga dy klubet gjatë viteve të fundit.

Barazimi 2-2 i ndeshjes së parë favozrizon vendasit që në dy sezonet paraardhëse janë eliminuar nga Barcelona që në fazën e 1/8-ave.Rikthimi i De Bruyne i ka dhënë oksigjen skuadrës së Pellegrinit, por në krahun tjetër, Laurent Blanc do të zgjedhë armatën e rëndë për të shënuar në “Etihad Stadium” pasi një barazim me pak gola ose një humbje do ta prishte ëndrrën pariziene që vjen në këtë fazë pasi kaloi një tjetër skuadër angleze, Chelsean. Për kampionët e Francës, mungesa të sigurta janë Verratti, Pastore David Luiz dhe Blaise Matuidi, ndërsa në krahun tjetër, kapiteni Vincent Kompany n uk është ende gati për të zbritur në fushën e lojës.