Dy futbollistë shqiptarë në formacionin e javës në Zvicër, Kololli përfundon në formacionin më të dobët

Ermir Lenjani ka marrë si “dhuratë” për ditëlindje praninë në formacionin ideal të javës në Zvicër.

Në fakt ka qenë një përzgjedhje shumë e merituar ajo e futbollistit shqiptar, përtej festimeve të 30-vjetorit të tij.

Lenjani ishte protagonist në fundjavë ndaj Zyrihut me një gol spektakolar, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte 3-1. Gjuajtja e tij diagonale mbi portierin ka hapur shumë diskutime nëse ishte e menduar apo një kros që shkoi gabim, por në përshkrimin për futbollistin kuqezi, “Blick” e cilëson atë “jashtëzakonisht punëtor në krahun e majtë”.

Në formacionin më të mirë të kësaj jave nuk kishte si të mungonte edhe Pajtim Kasami, i cili realizoi dy golat e tjerë për Sionin duke kontribuuar te ky sukses i rëndësishëm.

Ndërkohë, në formacionin e zhgënjimeve të javës ka përfunduar si rrallëherë Benjamin Kololli. Arsyeja është ajo penallti e humbur ndaj Sionit, ku ai goditi pjesën e jashtme të shtyllës, duke humbur më pas besimin e duke bërë disa gabime deri në fundin e ndeshjes.