Dukagjini ndërmjet dy objektivave madhor, klubi nga Klina kaloi gjitha parashikimet!

696

Dukagjini i Klinës në këtë edicion po garon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, por klubi nga Rrafshi i Dukagjinit mund të krenohet me infrastrukturën e mirë sportive, e cila u mungon edhe shumë klubeve të Superligës.

Me një fushë të mrekullueshme në stadiumin “18 Qershori” dhe një tjetër me bar sintetik, Dukagjini nën drejtimin e trajnerit Armend Dallku po synon suksese të mëdha.

Dallku në një prononcim për Zeri.info deklaron se në Klinë po bëhet një punë e madhe.

“Jemi shumë të kënaqur me kushtet e punës. I kemi dy fusha dhe i kemi ambientet e mira përcjellëse sa i përket punës. Si rezultat i punës së mirë dhe kushteve të mira, kanë ardhur edhe rezultatet. Shpresojmë që ta rrisim kapacitetin e punës përbrenda ekipit dhe të kërkojmë diçka më tepër”, ka thënë Armend Dallku.

Dukagjini ka zënë vend në katër skuadrat më të mira të Kupës së Kosovës për këtë edicion, së bashku me Prishtinën, Llapin dhe Istogun.

2 Korriku dhe Drenica ishin dy ekipet që Dukagjini i eliminoi për të arritur në këtë fazë.

Dallku ua lë meritat futbollistëve të tij.

“I përgëzojë lojtarët për angazhimin që e kanë bërë jo vetëm brenda lojës, mirëpo edhe në stërvitje. Ne bazohemi te puna e jonë dhe me meritë jemi në gjysmëfinale të Kupës”, theksoi ish-reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë.

Dallku nuk ka preferenca në rast kualifikimi në finale, synim primar mbetet Superliga


Vushtrriasi Armend Dallku nuk ka preferenca për finale në rast se eliminojnë Istogun.

Gjysmëfinalja tjetër është ajo në mes Prishtinës dhe Llapit.

“Nuk kam ndonjë preferencë. Me Prishtinën kam punuar dhe e njoh mirë ambientin, mirëpo edhe Llapi duhet respektuar pasi që ka bërë investime të mëdha. E rëndësishme është që ne jemi në finale”, vlerësoi trajneri, i cili si futbollist ka luajtur edhe në Ukrainë e Shqipëri.

Ai si trajner e fitoi Kupën edicionin e kaluar me FC Prishtinën, tani zbulon edhe për pritshmëritë që ka me Dukagjinin.

Dukagjini ndodhet në vendin e dytë në Grupin A të Ligës së Parë me 40 pikë, dy më pak se Malisheva.

“Ne në fillim kemi pasur ambicie tjera për rikthim në Superligë, por kemi thënë se edhe për Kupë do t’ia bëjmë hyzmetin në çdo ndeshje”, përfundoi Armend Dallku.

Optimizmi i Merlakut e Milicajt

Kapiteni i “Hithave”, Altin Merlaku, e komenton punën e madhe që është bërë në ekip.

Ai ndalet te Kupa e Kosovës.

“Deri këtu kemi arritur me sukses dhe meritë. Shorti për neve ka qenë më i lehtë në përjashtim të ndeshjes me Drenicën. Sa i përket ekipit, jemi shumë mirë”, ka thënë Altin Merlaku për Zeri.info.

May be an image of 1 person, playing a sport dhe bar

Një nga sulmuesit më me përvojë në futbollin kosovar, Mark Milicaj, pohon se përkundër përvojës që ka, me ndihmën e shokëve do ta rikthejë Dukagjinin në elitë.

“Përvoja është e domosdoshme në futboll sidomos në ndeshjet ku duhet patjetër fitorja. Nuk jam unë ai që do ta inkuadrojë skuadrën në Superligë. Me ndihmën e shokëve dhe trajnerit që e ka një përvojë të madhe në futboll dhe tashmë si trajner që ka filluar rishtas, besoj se së bashku do ta inkuadrojmë Dukagjinin në Superligë”, tha Milicaj për Zeri.info.

May be an image of 1 person

Kjo skuadër në edicionin e kaluar ishte në elitë, por pa mundur që ta sigurojë një “biletë” për qëndrim në këtë rang garash.

Kësaj radhe, synimet janë ndryshe.