Dukagjini ‘likuidon’ Lirinë dhe merr përkohësisht kreun në grupin A të Ligës së Parë

813

Dukagjini ka triumfuar në derbin e xhiro së 21-të në grupin A, teksa në shtëpi e ka mposhtur rivalin rajonal Liria me rezultat 3-1, raporton Gazetasheshi.com.

Skuadra e Armend Dallkut ka qenë dominuese përballë prizrenasve duke qëlluar tre herë në portën e tyre me tre autorë të ndryshëm të golave.

Fillimisht Fatlum Gashi realizoi në minutën e 35-të të ndeshjes, ndërkohë rezultatin e dyfishoi Labinot Osmani në minutën e 55-të, teksa fitoren e vulosi zëvendësuesi Abedin Merlaku në minutën e 83-të.

Golin e vetëm dhe të nderit për mysafirët e realizoi Ragip Thaqi në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Duhet theksuar se ‘bardhezinjtë’ mbeten me dhjetë futbollistë nga minuta e 73-të, pas përjashtimit me karton të kuq të mbrojtësit bullgar Martin Kovachev.

Dukagjini me këtë fitore ngritet në pozitën e parë të renditjes tabelare me 43 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Malisheva që do të përballet këtë vikend me Istogun.

Liria mbetet në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare me 25 pikë.

/Gazeta Sheshi/