Dueli i shekullit

114

Ka ndonjë skuadër që mund t’ia lejojë vetes një treshe si Real Madridi dhe Barcelona? E vështirë madje edhe për t’u gjetur. Për të filluar, tashmë rezulton e komplikuar të gjesh një futbollist që në këto vitet e fundit ka qenë në nivelin e Cristianos apo Messit. Dhe atë që këta të dy kanë bërë dhe që mund të bëjnë, do të luajnë sot në El Clasico. Një Real Madrid – Barcelona është më shumë se një ndeshje, sepse përveç tjerash, luajnë sulmet më të mira në botë. BBC dhe MSN kokë për kokë, dueli i të mëdhenjëve për shkëlqësinë e futbollit botëror.

Nëse Barcelona kishte mundësinë të mbante treshen më gjatë në fushë, Real Madridi ka mbetur prapa këtë vit në La Liga sepse Bale dhe Benzema kanë humbur më shumë ndeshje. Dhe nëse ata kanë shënuar më pak gola, 63 – krahasuar me 69 të MSN-s, është pikërisht për këtë arsye. Mesatarja e tyre, deri më tani, nuk ka asgjë më pak krahasuar me treshen e Barcelonës.

Realiteti është që Real Madridi dhe Barcelona kanë plot argumente për t’u mbështetur tek treshet e tyre. Cristiano, për shembull, është Pichichi aktual me 28 gola në 30 ndeshje, i ndjekur nga Luis Suarez me 26 të shënuar në 28 ndeshje. Në Real Madrid ndodhet lojtari më efektiv i të dyja tresheve dhe quhet Benzema. Është ‘vrasësi’ më i mirë, me 21 gola të shënuar në 20 ndeshje, me një mesatare prej 1,14 gola për ndeshje. Ai që ka nevojë për më tepër kohë nga të gjithë për të shënuar është Neymar, i cili shënon çdo 111,29 minuta.

Nëse Real Madridi duket më efektiv, këtë vit treshja e Barcelonës kuptohet më mirë, madje kuptohet për mrekulli. Që të gjithë ata kanë më shumë asiste se rivalët e tyre – 32, krahasuar me 22 të Madrilenëve. Luis Suarez është më i miri në këtë aspekt, me 12 pasime për gol, krahasuar me 10 të Messit dhe 10 të Neymar. Në Real Madrid, Benzema është i treti sa i përket asistimeve, pas Cristianos dhe Bales.

Rezultati, që në fund është gjithçka që vlenë, e nxjerr Barcelonën në krye të La Ligas si lider i padiskutueshëm dhe me një lojë më të mirë se të tjerët, por mbi të gjitha, se si arrijnë të kuptohen dhe se sa shënon treshja e tyre.

Luis Suarez është duke luftuar për trofeun Pichichi me Cristianon, ka dhënë 5 asistime ndaj Neymar dhe ka marrë poashtu 5 nga Braziliani. Është shoqëria më frytdhënëse nga të gjitha treshet e mundëshme. Pastaj vjen Messi, që vazhdon të jetë Messi dhe më pas Neymar, i cili ka bërë një tjetër progres këtë sezon.

Balanci i Madrilenëve

Në Real Madrid, gjithçka indikon tek BBC-ja. Për më tepër, me më pak minuta të luajtura ka goditur portën vetëm një herë më pak krahasuar me treshen e Barcelonës (328 ndaj 329) dhe ndërmjet tresheve ka një diferencë prej 1268 minutash të luajtura në fushë në të mirë të treshes së Barcelonës.

Pyetja që duhet parashtruar është që ku do të ishte Real Madridi me këto 1268 minuta që i mungonin BBC-s. Me shumë mundësi prapa Barcelonës, e cila është e pagabueshme deri në këtë moment, por me diçka më pak se 10 pikë që i ndajnë për momentin dy ekipet.

Cristiano është i vetmi nga të tre që ka mbajtur numrat e tij. I vënë në pikëpyetje për faktin që nuk shfaqet në ndeshjet e mëdha, realiteti është që vetëm Luis Suarez i afrohet shifrave të tij nga të dy treshet sulmuese. Bale, që sapo është kthyer nga një dëmtim muskular, ka humbur 12 ndeshje në La Liga dhe ka shënuar 15 gola në total si dhe ka dhuruar 9 asistime.

Benzema nga ana tjetër, poashtu ka kaluar gjatë kohë në infermieri. Francezi është lojtari më në formë nga të tre, por dëmtimi i pësuar e la prapa rendimentin e tij. Është rikthyer përsëri në nivelin e tij dhe është çelësi kryesor për t’a bërë të funksionoje BBC-n.

Edhe një sezon tjetër, BBC dhe MSN shkojnë për të kapur shifrën e 100 golave brenda një sezoni. Ata të Barcelonës e kanë më afër, por Madrilenët shënojnë më shumë që nga ardhja e Zinedine Zidane. Dhe dueli nuk përfundon në El Clasico.