Drita pësoi humbje ndaj Ballkanit, Nuhiu flet për kartonin e kuq

Ballkani ka triumfuar në derbin e xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës në futboll, teksa në shtëpi e ka mposhtur skuadrën e Dritës me rezultat të pastër 2-0, raporton Gazetasheshi.com.

Mirlind Daku ishte sërish protagonist në triumfin e gjashtë sezonal të “portokallinjëve”, pasi që realizoi dy gola dhe thelloi diferencën ndaj kampionëve në fuqi, të cilët megjithatë kanë dy ndeshje për t’i zhvilluar.

Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se kartoni i kuq i Ilir Blakçorit ia vështirësoi gjërat skuadrës së tij.

“Luajtëm me një lojtar më pak qysh herët dhe kjo i vështirësoi gjërat”, deklaroi Nuhiu në “ArtSport”.

“E nisëm mirë ndeshjen, kisha besim te skuadra pasi kishte dëshirë për të bërë mirë”, përfundoi Nuhiu.

Drita pozicionohet në vendin e katërt me dhjetë pikë të mbledhura.

/Gazeta Sheshi/