Ka dy stinorë që Drita siguron ekzistencën në elitë fare në fund përmes barazhit, por në bazë të asaj që po ndodh në klub, kjo nuk duhet t’i ngjajë më. Në fakt, e thonë edhe zyrtarët e klubit, sipas të cilëve Drita do të luftojë për pjesën e epërme të tabelës, shkruan sot Koha Ditore.
Skuadra gjilanase i është nënshtruar së fundi një organizimi të thellë. Gjatë javës së shkuar, emëroi kryesinë e re, e cila brenda pak ditëve ka transferuar gjashtë përforcime për edicionin 2016/17 të Superligës së Kosovës në futboll.
Petrit Osmani, Alban Dragusha, Semir Zeneli, Viktor Kuka, Alban Mavriqi e Toni Salihu janë goditjet e kryesisë në krye me kryetarin Valon Murseli. Që të gjithë firmosën kontrata njëvjeçare. Pos përforcimeve, është vazhduar bashkëpunimi edhe me shumicën e lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës në edicionin e shkuar. Por, kjo nuk është e tëra. Kryesia e klubit po synon të paktën edhe dy futbollistë deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës.
Drejtori i Dritës, Feti Murseli, ka thënë të hënën se dy transferimet e ardhshme nuk janë nga Kosova.