Drita drejt Bullgarisë për fazën përgatitore, ja plani i ‘bardhekaltërve’

“Drita është mbi qiellin”, kjo moto e “Intelektualëve” do të lartësohet pas datës 24 Korrik, kur edhe ‘bardhekaltërit’ pritet që të fluturojnë mes reve të qiellit drejt Bullgarisë, aty ku pritet ta vazhdojnë fazën përgatitore.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri i ekipit gjilanas Ardian Nuhiu, i cili në një bisedë me Zëri.info ka bërë të ditur se tashmë klubi ka planifikuar udhëtimin drejt Bullgarisë për t’u përgatitur sa më mirë, por që janë ende në pritje të vizave.

“Plani për përgatitje është bërë, jemi në pritje të vizave dhe më 24 korrik shkojmë në Bansko të Bullgarisë”, pohoi Ardian Nuhiu.

Drita shpreson që para kësaj date të mbyll edhe zyrtarisht afatin kalimtarë për të patur me vete të gjitha përforcimet.

Deri më tani dy herë kampionët e vendit kanë arritur marrëveshje me Ilir Blakçori, Hamdi Namani, Drilon Islami, Donat Hasanaj, Izair Emini, Darko Tofiloski dhe Gilberto Fortunato.

Prezantimi i Gilberto Fortunatos te FC Drita

Drita do të qëndrojë për 11 ditë në Bansko, teksa planifikon të zhvillojë edhe disa duele kontrolluese.

“Do të qëndrojmë 11 ditë ku edhe kemi planifikuar disa ndeshje miqësore”,
shtoi Nuhiu.

Nga Drita në këtë afat kalimtarë janë larguar Arbër Shala, Përparim Osmani (Përfundon huazimi 6 mujor nga FC Prishtina), Zgjim Mustafa, Filonit Shaqiri, Përparim Livoreka, Haxhi Neziraj, Endrit Krasniqi, Kyrian Nwabueze, Klajdi Burba, Festim Krasniqi dhe Mario Kirev.

/Gazeta Sheshi/