Drita dhe Llapi pa lojtarët kryesorë në derbin e së shtunës?!

Mentor Zhdrella dhe Ardian Cuculi, dy futbollistëve të cilët i'u skadon kontrata në qershor të 2020

Drita dhe Llapi do të zhvillojnë njërën ndër ndeshjet kryesore në javën e gjashtëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll. Dy skuadrat që pretendojnë titullin kampion këtë edicion do të përballen të shtunën me fillim nga ora 13:00 në Gjilan.

Kjo përballje mund të jetë vendimtare për fatin e dy skuadrave në fundin e stinorit vjeshtor, derisa fitorja do të ishte imperativ në garën për titullin kampion.

Të dy këto skuadra mund të kenë mungesa të theksuara në përbërje. Gazeta SHESHI mëson se Xhevdet Shabani te Drita dhe Mentor Zhdrella te Llapi nuk janë të gatshëm 100% për këtë duel dhe mund të ndodh edhe të mos e nisin ndeshjen nga minuta e parë.

Xhevdet Shabani ka pësuar një zgjatje muskulare në duelin miqësor të mesjavës të cilën Drita e triumfoi ndaj Vllaznisë së Pozheranit.

Shabani u largua mes dhimbjeve, ndërkohë që shënoi dy gola në këtë përballje.

Mbetet për tu parë nëse do të arrijë të riaftësohet i plotë për duelin e së shtunës.

Fotografia e Drita FC
Me probleme muskulare po ballafaqohet edhe Mentor Zhdrella i Llapit.

Kapiteni i llapjanëve ende nuk është në formën e tij optimale që nga lëndimi i tij i fundit dhe paraqitja e tij në këtë përballje mbetet në pikëpyetje.

Kujtojmë që dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në “Zahir Pajaziti” të Podujevës kishte përfunduar me rezultat 2-2.

/Gazeta Sheshi/