Dramë në ‘Minatori’, Trepça pas dy vazhdimeve fiton ndaj Ponte Prizrenit

190

KB Trepçës i janë nevojitur dy vazhdime nga pesë minuta për ta fituar ndeshjen e xhiros së 21 të Superligës së Kosovës në basketboll kundër Ponte Prizrenit. Dueli i luajtur të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori”, ka përfunduar me rezultatin 116:114.

Koha e rregullt e takimit, përfundoi 89:89 ndërsa pas vazhdimit të parë, rezultati ishte 98:98. Në vazhdimin e dytë, basketbollistët e Trepçës u treguan më efikas dhe shënuan fitore, që është e katërta rresht.

Me këtë triumf, Trepça ngritët në kuotën e 29 pikëve derisa Ponte Prizreni ka tubuar 33 pikë. Qendra e Trepçës, greku Stavros Toutzaiarkis ishte i pandalshëm në këtë takim, të cilin e mbylli me “double-double” prej 30 pikëve e 22 kërcimeve. Me lojë të mirë te mitrovicasit, u veçuan edhe Ivan Koljeviq me 28 pikë e 12 asistime derisa Drilon Hajrizi pati 22 pikë e 11 kërcime. Te Ponte Prizreni, plejmejkeri Divine Myles pati 29 pikë e 10 kërcime derisa Kwame Vayghn shtoi 27 pikë që nuk mjaftuan për të evituar humbjen nga Trepça. Për Ponte Prizrenin, kjo ishte humbja e shtatë këtë edicion derisa Trepça regjistroi fitoren e tetë në 21 ndeshje të luajtura.