Dikur me emra të njohur, tani shpresat tek futbollistët e rinj

311

Ka mbetur më pak se tre javë deri tek fillimi i edicionit të ri të garave në futbollin kosovar. Saktësisht kampionati i ri në Ligën e Parë do të startojë më 27 gusht, një javë pas Superligës.

Kësisoj, ekipi i Istogut edhe përkundër krizës që e kaploi pas rënies nga Superliga, nuk u dorëzua në asnjë çast. Fatkeqësisht ekipi bardhekaltër mbeti pa sponsorin kryesor “Trofta”, e për të mos mjaftuar kjo, kësaj skuadre iu larguan një numër i madh i futbollisteve me përvojë.

Mirëpo, ekipi istogas po planifikon që në edicionin e ri forcat t’i provojë forcat me një gjeneratë pothuajse krejtësisht të re, futbollistë të cilët kanë qenë pjesë e juniorëve.

Istogu ka nisur fazën e përgatitjeve , derisa dje zhvilloi ndeshje miqësore me KF Dukagjinin,takim ky i cili përfundoi me barazim 2-2.
Futbollisti i ri i kësaj skuadre, Alban Musolli thotë se ekipi do të mundohet me forcat që ka momentalisht, të tregojë paraqitje sa më të mira në sezonin e ri.

“Mendoj që do të ia dalim mirë edhe  me këtë përbërje të futbollistëve që kemi. Ani pse jemi kryesisht të rinj, jemi të etur për suksese. Kemi edhe disa lojtarë me përvojë në ekip,  me ç’rast me ndihmën e tyre besoj që do të kemi një sezon të mbarë”, ka thënë, Musolli, për Teleskopi.net.

Ndeshjen e parë në edicionin e ri Istogu ta zhvillojë kundër FC Vëllaznimit.