Dhunë në Rahovec, trajneri i Ballkanit rrëfen për tmerrin (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në futbollin kosovar, ku ka plasur dhuna.

Ndeshja e Ligës së Parë në mes të Rahovecit dhe Ballkanit nga Theranda ka përfunduar si është më së keqi.

Pas përfundimit të ndeshjes, e cila u fitua 1:0 nga vendasit, janë sulmuar dy lojtarë të skuadrës së Ballkanit, njëri me elektroshok dhe tjetri me gurë.

Trajneri i Ballkanit për lajmi.net, ka rrëfyer ngjarjen që ka ndodhur në stadiumin e Rahovecit.

Zymer Elshani për lajmi.net, ka thënë se lojtarët Ilir Aliu dhe Shkodran Selimaj, janë sulmuar nga tifozët në Rahovec, pas daljes nga zhveshtoret.

“Pas përfundimit të ndeshjes të ndeshjes, lojtarët pas daljes nga zhveshtoret janë sulmuar nga tifozët. Ilir Aliu dhe Shkodran Selimaj janë lojtarët e lënduar, ky i fundit është sulmuar me elektroshok, për të cilin edhe kanë hapur rast policia. Gjendja e tyre tani është mirë”, ka deklaruar trajneri i Ballkanit për ‘Lajmi.net’.

“Nuk di si erdhi deri këtu, gjyqtari na anuloi golin e pastër, me të cilin ne e barazuam rezultatin në minutën e 90-të”.

“Loja ka qenë pak e ashpër mes lojtarëve, por në fund u përqafuam dhe u përshëndetëm. Gjyqtari ndikoi në rezultat. Pas ndeshjes ne shkuam në zhveshtore, dhe pas daljes nga aty, dy lojtarët tanë i sulmuan”, ka përfunduar Zymer Elashani.