Dështuan bisedimet për kodin telefonik

Bisedimet për kodin telefonik në mes Kosovës dhe Serbisë, pas njëzet orëve, kanë përfunduar pa sukses për shkak të mosgadishmërisë së palës serbë. Kështu të paktën thonë përfaqësuesit e Ministrisë për Dialogun.

Në agjendën e këtij takimi temë kryesore ishte përfundimi i hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën, 383 nga ana e ITU-së.

“Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakësuar këtë proces. Në këtë takim ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas Ministrisë së Dialogut, delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimi të dalë jashtë ligjeve të Kosovës. Për dallim prej raundit paraprak të bisedimeve, ku u arrit pajtimi për heqjen e barrikadës dhe ku pala serbe kishte qëndrim më konstruktiv, kësaj radhe pala serbe ishte jo serioze dhe kohë-pas-kohe ishin konfuz dhe të pakoordinuar, që linte të kuptohej, që ose nuk kishin gatishmëri apo nuk e njihnin fushën për të cilën kishin ardhur”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim pati polemika të ashpra politike me ç ‘rast ministrja Tahiri ia kujtoi palës serbe se këto janë bisedime ndërshtetërore të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, ndërkohë që hipokrizia politike e palës serbe është e pafundme për faktin se nënshkruan marrëveshje me shtetin e Kosovës me garanca ndërkombëtare dhe në anën tjetër gjatë zbatimit përpiqet të dalë jashtë marrëveshjes.

Në përpjekje për të përmbyllur hapat zbatuese për kodin, në orët e mbrëmjes në procesin e ndërmjetësimit është inkuadruar edhe drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Mogherini,  Angelina Eichhorst, megjithatë takimi në orët e mëngjesit përfundoi pa i përmbyllur disa nga çështjet. Ministria e Dialogut ka sqaruar se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik dhe se përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka gënjyer kur ka thënë se në Bruksel do të bisedohet për asociacionin.

Në delegacionin e Kosovës të kryesuar nga ministrja Tahiri, Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri dhe Gazmir Raci, këshilltar dhe koordinator politik për telekom kishte në përbërje edhe Kreshnik Gashi, kryesues i grupit të ekspertëve dhe kryetar i bordit të ARKEP-it dhe anëtarët e bordit, Nijazi Ademaj, Hazir Hajdari, Bahri Anadolli,  Shqiprim Pula, Ilir Imeri, shef i komunikimeve elektronike, Visar Halimi, shef i departamentit për menaxhimin e frekuencave dhe Astrit Ajvazi, shef i departamentit për radio monitorim dhe inspektim në ARKEP,  Zana Bejta, udhëheqëse e departamentit ligjor në Ipko telecommunications dhe Valeza Oruqi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel./KosovaPress/