Derbi shqiptar vishet sërish i kuq

133

Kryeqyteti është i kuq. Partizani mundi 2-0 Tiranën në derbi, pas një 90 minutëshi të luajtur me krenari, lavdi e pasion, gjatë të cilit nuk fluturoi në iluzion, sic thoshte dhe parrulla e shpalosur nga tifozët e saj në “Qemal Stafa”.

Një derbi që pati për hero Fejzullahun, me një gol e një asist, ku i dyti ishte një skemë e mirëmenduar nga të kuqtë, përballë një Tirane që kishte zbritur në fushë mes një “tymnaje” kolektive, që u bë më e dendur pas ndëshkimit të shpejtë me dy gola nga Partizani. Një derbi që vazhdon të mbetet i mallkuar për bardheblutë, që zgjasin në tetë serinë e sfidave pa fitore, por këtë herë në 90 minuta nuk gjejnë asnjëherë edhe rrugën drejt kuadratit të portës, të paktën sa për të mos lënë turist në fushë Hoxhën.